Numri 27 do të mbetet i veçantë për kryeministrin Albin Kurti.
Tre muaj më parë, pikërisht më 27 prill, shefi i qeverisë kosovare mori pjesë në funeralin e sekretares Madeleine Albright në Amerikë, dhe me po të njëjtën datë veçse në korrik, Kurti po qëndron sërish në ShBA, por për marrëveshjen e MCC-së, në të cilën mori pjesë vajza e Albright, Alice.
Përmes një postimi në Facebook, kryeministri shkroi ‘nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright’.
“Pas tetë vjetëve, isha në ShBA para tre muajve. Pikërisht më 27 prill, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Zonjës Sekretare, Madeleine Albright, në funeralin në Katedralen e Ëashington DC. Saktësisht tre muaj më vonë, më 27 korrik 2022, morëm pjesë në këtë ngjarje historike për Kosovën, zhvillimin e saj dhe lidhjen e saj me ShBA-të. Në njërën anë të marrëveshjes është pikërisht zonja tjetër Albright, Alice, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë. Nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright”, shkroi Kurti.
Tutje, shefi i qeverisë tha se nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Programin Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarë, përveçse është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik mbi qëllime të përbashkëta në sektorin e energjisë, është kremtim i marrëdhënieve të thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë”, tha Kurti.
Kryeministri ndër të tjera falënderoi Alice Albright, Artane Rizvanollin dhe dy ekipet përkatëse që studiuan, shqyrtuan e negociuan për të arritur te rezultati i shkëlqyeshëm dje.
“Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik. Republika e Kosovës i është jashtëzakonisht mirënjohëse Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po qëndrojnë përkrah nesh në realizimin e investimeve të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta. Në veçanti, falenderoj kryeshefen ekzekutive të MCC-së, znj. Alice Albright, ministren tonë të Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli dhe dy ekipet përkatëse që studiuan, shqyrtuan e negociuan për të arritur te rezultati i shkëlqyeshëm dje”, ka shkruar Kurti, njofton Klankosova.tv.