Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se bisedimet në Bruksel nuk kanë qenë të lehta.
Kurti këto komente i ka bërë për BBC World Service, një ditë pas marrëveshjes së fundit të arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese, duke shtuar se kjo nuk do të bëhet kundër serbëve.
“Kemi pasur bisedime ne Bruksel, bisedime këto që nuk kanë qenë të lehta, por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve”, është shprehur Kurti.
Ai ka theksuar se shpreson që më 1 tetor të mos ketë dokumente që nuk janë legjitime.“Më 1 tetor shpresojmë që të mos kemi dokumente që nuk janë legjitime, pos atyre të njohura si RKS apo Republika e Kosovës. Një gjë e tillë nuk është kundër serbëve, por po bëhet për respektim të ligjit dhe të reciprocitetit”, ka theksuar ai.
Në fund, Kurti ka theksuar se një nga faktorët që çoi në arritjen e marrëveshjes është se më 1 gusht, Kosova ua lëshoi serbëve mbi dymijë dokumente me mbishkrimin “Republika e Kosovës”.