Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në njoftimin për media të Kryeministrisë thuhet se në takim u diskutuan “për procesin e dialogut, hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”.
“Kryeministri Kurti do ta mirëpres emisarin Lajçak në Prishtinë, në përfundim të kësaj jave”, u përmbyll njoftimi.
“Ne folëm për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale”, u shpreh Lajçak, Gazeta Online shkruan Reporteri.net.
Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, bashkë me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor pritet që më 20 janar të vijnë në Kosovë.
Siç raportohet, pikë kyçe e udhëtimit do të jetë bashkërendimi i palëve për të vazhduar dialogun në Bruksel.
Vizita e fundit e Lajçak në Kosovë ishte ajo e 14 dhjetorit të vitit të kaluar, ku I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, ku ripërsërit thirrjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje.
Ai kishte thënë se janë duke punuar për çështjen e normalizimit të raporteve, teksa shtoi se “nuk ka më kohë për të humbur”.
Se a do të arrihet marrëveshja finale në mars 2023, Lajçak para mediave deklaronte se “ne nuk dëshirojmë të vonojmë, momentumi është tani, nuk i kam dëshirë afatet e caktuara, por jemi duke ecur përpara për progres në dialog”.
Në anën tjetër edhe I dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitave të fundit në Kosovë, ka theksuar se duhet të niset me zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Unë e bëra të qartë edhe pritjen time që të fillojmë të flasim për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. E bëra shumë të qartë, prandaj shpresoj që do të shohim angazhim gjatë kësaj krize në një të ardhme të afërt”, kishte thënë Escobar në vizitën e tij të fundit së bashku me Miroslav Lajçak në Kosovë./Reporteri.net/



