Kurti: Pronto, Devollët, politika e biznesi, si bashkëjetojnë e bashkëndihmohen në dëm të shtetit

Në seancën plenare, në pjesën për deklarime të deputetëve, foli deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti, transmeton Koha.net.

Kurti në fjalim përmendi biznesmenët për të cilat tha t’i kenë shumëfishuar prona e me të cilit sipas tij janë të përfshirë edhe aktorë të skandalit Pronto. Në këtë kontekst ai përmendi emra të politikës e të ekonomisë që, sipas tij, bashkëpunojnë vetëm për hesape të veta.

Ky është fjalim i plotë i Albin Kurtit:

Edhe në Kosovë kemi emra biznesmenësh që për një kohë të shkurtër i kanë shumëfishuar pronat e të ardhurat e tyre në mënyrë eksponenciale, duke tejkaluar edhe Bill Gates-in e Steve Jobs-in në ShBA. Mirëpo, te ne në Kosovë, Bill Gates dhe Steve Jobs janë dy vëllezër, janë Blerim dhe Shkëlqim Devolli. Ata janë pasuruar shpejt dhe shumë përtej imagjinatës së tyre dhe përtej njohurive tona, thua se kanë bërë ndonjë inovacion në fushën e teknologjisë informative porsi Gates e Jobs.

Për pak vite këta u bënë pronarë të kompanive më të fuqishme në vend si fabrika e miellit M&Sillosi, Qumështorja VITA, Princ Caffe, Fabrika e sfunxherit “Comodita dopio”, fabrika e lëngjeve “Tango”, “Z-mobile”, Qendra e homologimit, Terminali doganor në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë, Birra e Pejës, thuhet se edhe televizioni Klan Kosova është i tyre etj. etj.

Cili ishte inovacioni i këtyre vëllezërve? Çka zbuluan ata që u pasuruan kështu? Çudisë Devolli nuk i mungon shpjegimi por hetimi. Kosova është shtet i kapur jo vetëm pse është polici e kapur, gjyqësi e kapur, prokurori e kapur, RTK e kapur, shëndetësi e kapur, arsim i kapur, por edhe pse është ekonomi e kapur.

Të gjithëve na kujtohet pronto biseda e Adem Grabovcit me Shkëlqim Devollin, ku Grabovci i thotë Devollit “Kqyre se s’mujta me të thirrë… m’u ka zbraz krejt fyti…”, ndërkohë që Devolli i përgjigjet “U bo shef, qe po t’i çoj…”. Shtrohet pyetja, a ju ka tharë fyti vetëm njëherë Grabovcit apo nuk i kanë publikuar pronto ankesat e tjera për tharje fyti? Cilido variant është më i keq se tjetri. Dhe, së dyti, Devolli i thotë Grabovcit shef e jo anasjelltas. E shef do të thotë shef kuzhine apo shef fisi apo shef klani apo shef firme. Përderisa në këtë qeveri e kuvend kemi politikanë që përfaqësojnë kapitalin ekonomik si puna e Ramiz Kelmendit dhe Margarita Kadriut, te Devollët kemi situatën e përmbysur: ata janë biznesmenë që përfaqësojnë kapitalin e pronto politikanëve. Nuk kemi vetëm politikanë që përfaqësojnë interesat e bizneseve por ka edhe biznesmenë që përfaqësojnë interesa të politikanëve. Devollët janë arketipi i biznesit paravan të kapjes ekonomike të shtetit.

Devollët kanë krijuar monopol në shumë fusha. Ata po i shkatërrojnë fushat tona bujqësore dhe bujqit tanë s’kanë më levërdi të mbjellin për shkak të importit të grurit për ushqimin e kafshëve prej rezervave shtetërore të Serbisë e të cilat Devollët po ia sjellin jo vetëm Kosovës por po ia çojnë edhe Shqipërisë. Kanë rënë të ardhurat dhe fitimet në fabrikat e blojës në Kosovë e Shqipëri që s’punojnë as me gjysëm kapaciteti, e njësoj ka rënë importi i grurit nga vendet e tjera, madje edhe nga Italia e afërt për shkak se është rritur drastikisht importi nga Serbia dhe Rusia e largët. Autostradën e kombit Devollët e kanë bërë autostradë të krundeve dhe rezervave serbe për konsumatorët shqiptarë. Për të qenë edhe më keq se kaq, gruri pa proteina dëmton rëndë shëndetin e fëmijëve dhe përbën kequshqyrje që shkakton prapambetje në rritje.

Kjo e shkatërron bujqësinë e Kosovës, sidomos prodhimin vendor të grurit dhe misrit sepse çmimi i grurit në Kosovë tani sillet nga 13-15 centë, pra më lirë se krundet tona. Me këtë çmim asnjë fermer i Kosovës nuk mund t’i mbulojë shpenzimet e prodhimit. Sot te Devollët mund t’i blesh 100 kg miell me 20 euro, madje nëse i blen 3.000 kg miell, 1.000 kg miell i ke gratis!

Nga Devolli Commerce gjatë okupimit te Devolli Company e sot te Devolli Group, prodhimi që bëjnë është bërë i parëndësishëm krahasuar me dallaveret që bëjnë. “Serbia deformon tregun”, “Mielli i bukës kontrabandohet si miell biskotash”, “Mashtrimi me tarifat doganore” janë tituj të zakonshëm kur mediet shkruajnë për Devollët. Natyrisht jo edhe në televionin e tyre Klan, i cili dikur ishte fabrikë reale prodhuese e amorizatorëve për automjetet kurse tash pas privatizimit është fabrikë virtuele televizive për amortizimin e pakënaqësisë së qytetarëve.

Devollët karakterizohen nga monopoli absolut i transaksioneve me gjithçka që del prej sektorit publik për t’u dhënë si koncension, si privatizim, si kontraktim apo nënkontraktim. Ata po ashtu kanë në dorë tregun e patundshmërive, pra transaksionet e shitblerjes se tokave dhe pronave të palujtshme. Si Devolli edhe Rukolli, Elkos e tajkunët e tjerë, përveçse nuk figurojnë si tatimpaguesit më të mëdhenj, i kanë kompanitë të cilat qendrën e tyre zyrtare edhe pse fiktive nuk e kanë në Kosovë. Për Devollin dihet se i ka kompanitë që kanë degë në Kosovë e janë të regjistruara në Maltë. Po ashtu Rukolli dhe të tjerët në Panama (ku ambasadore është mbesa e Kadri Veselit dhe ka pasur vizita të shpeshta zyrtare).

Ky tip i operimit gjithnjë është i lidhur me gjoja “politikën e jashtme”. Po të vërehet me kujdes çdo herë ka vizita të çuditshme psh. në Maltë, në Luxemburg, në Panama apo dhe në vende jo fort të njohura si partner kryesorë ku Thaçi, Veseli jo më rrallë edhe këta të MZhE-së apo MPJ priten me nderime.

Ekzistenca e Z-Mobile është produkt i krimit të organizuar me pjesëmarrje të një numri të madh individësh. Për ketë krim Prof. Ismet Hamiti ka bërë një kallëzim penal te prokurori i shtetit. Qartazi, Klani ‘Pronto’ ka kurdisur fitoren e Devollëve në tender. Për shkak të kurdisjeve të këtilla pronarë të vërtetë të bizneseve që figurojnë në emër të Devollëve janë kurdisësit, pra Klani ‘Pronto’.

Terminalet doganore janë dorëzim i pastër i shtetit. Kur privatizohen doganat privatizohen edhe doganierët, shumë prej të cilëve tash më shumë punojnë për Devollët e Ramiz Kelmendin e Margarita Kadriun sesa për Republikën tonë.

Të gjithë fermerët janë në mëshirën e fabrikave të qumështit. Ato ua masin sasinë, cilësinë, çmimin dhe kur të donë nuk ua pranojnë fare qumështin. Nëse blegtori përpiqet që mandej qumështin e mbetur t’ia ofrojë ndonjë fabrike tjetër, ato nuk e pranojnë, për shkak se ata kanë kontratë me konkurrencën e tyre. Devollët janë më të egrit në këtë pikëpamje. Ata e kanë luksin të mos e marrin qumështin e blegtorëve vendës sepse përdorin qumësht pluhur kurdo që të kenë nevojë.

Qeveria e sotme sikurse edhe çdo tjetër para saj është në shërbim të tajkunëve. Neve na nevojitet një qeverisje e re me shtet zhvillimor ku qeveria është e afërt me biznesin e vogël dhe të mesëm në përgjithësi, por jo tepër e afërt me tajkunët e monopoleve. Isa Mustafa s’e bën dot këtë. Ai nuk po merret me ekonomi por me demarkacionin e Thaçit. Zaten e ka të vështirë të merret me ekonomi sepse magjistraturën dhe doktoraturën i ka në kundërshtim me njëra-tjetrën: e para në frymën e socializmit vetëqeverisës të Kardelit kurse e dyta për lidership e menaxhment brenda orientimit neoliberal. E, të dyja këto janë të gabueshme.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme