Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot për takim Ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, me të cilën është paraqitur edhe në një konferencë para gazetarëve. Kurti ka thënë se kurrë nuk ka qenë më e nevojshme se tani ndihma e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri ka thënë se presidenti rus po e përmendë disa herë në javë Kosovën gjatë ditëve të fundit, ndryshe nga periudha të mëhershme kur e përmendte më rrallë.
Kurti ka thënë Kosova nuk frikësohet, por është e kujdesshme.
“Ne nuk frikësohemi, por jemi të kujdesshëm. Presidenti despotik Putin na përmendë disa herë në javë, duke krijuar analogji të paqena që ta arsyetojë imperializmin dhe hegjemoninë ruse, që është nostalgjike për perandorinë e dikurshme”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se nga lideri rus Putin, nuk rrezikohet vetëm Ukraina. Ai, Putinin e ka quajtur lider të luftës.
“Nuk është në rrezik vetëm Ukraina dhe tashmë në Kremlin e kemi një lider të luftës, i cili do të përdorë çdo dobësi për të imponuar hegjemoninë e tij. Ndihma e Bashkimit Evropian kurrë nuk ka qenë më e nevojshme se tani”, ka thënë Kurti gjatë konferencës.