Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka hedhur kritika ndaj qeverisë së Kosovës për shpenzimin e buxhetit për arsim në rritjen e pagave të mësimdhënësve e jo në cilësinë e arsimit.
Kurti në Facebook përmend Raportet e Progresit nga vitet e kaluara në të cilat theksohet nevoja për përmirsimin e cilësisë së arsimit dhe jo për rritjen e pagave të punëtorve të arsimit.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
“Janë bërë një vit e gjysmë prej Raportit të fundit të Komisionit Evropian për Kosovën. Sot publikohet Raporti vjetor i radhës. Kurse, sot një muaj mbahet Samiti i BE-së për Ballkanin perëndimor në Sofje të Bullgarisë.
Nga Raportet e Progresit mësojmë të kaluarën e afërt që s’e ndryshojmë dot por edhe atë çka na pret nëse nuk ndryshojmë (në) të ardhmen. Kështu, rezultatet e dobëta të testit PISA i kishte paralajmëruar Raporti i Progresit 2016. Në faqen 41 të tij thuhej: “75% e shpenzimeve të përgjithshme në arsim janë bërë për rrogat dhe rritja e shpenzimeve në arsim është përdorur pothuajse tërësisht për rritjen e pagave në vend të përmirësimit të cilësisë të arsimit (vetëm 0.2% e shpenzimeve në arsim është ndarë për trajnimin e mësuesve). Shpenzimet publike për hulumtime dhe inovacione arritën në vetëm 0.05% të PBB-së, nga të cilat vetëm një e pesta është ndarë për kërkime shkencore dhe grante. Rreth 40% e të diplomuarve me një diplomë profesionale dhe 35% e të diplomuarve me një diplomë universitare nuk posedojnë aftësitë e nevojshme të kërkuara nga tregu i punës.”
Edhe të paditur edhe të lirë nuk do të mund të jemi. Nuk ec Republika kur ngec arsimimi”.