Kurti: Serbia është problemi i Ballkanit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se liderët e rajonit po ndihmohen në mes vete, duke krijuar tensione të kohëpaskohshme politike, që të humbet fokusi i njerëzve nga zhvillimi socio-ekonomik.

Në një intervistë për TV1 në Sarajevë, Kurti ka thënë se problemi kryesor i Ballkanit Perëndimor është Serbia, për të cilën ka thënë se e imiton Rusinë.

Për arrestimin e Marko Gjuriqit, Kurti ka thënë se ky arrestim është bërë me dhjetë vjet vonesë si dhe me të qeveria kosovare dhuroi spektakël për t’u dukur më patriotike. Sa i përket vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviq, Kurti ka deklaruar se kjo vrasje është kryer nga “strukturat paralele në Kosovë, që financohen nga Serbia”.

Kurti po ashtu ka thënë se pret që qeveria Haradinaj të mos ketë jetëgjatësi. Ka thënë se Kosova nuk është dashur të lejojë që qeveria të varet nga Lista Serbe. Për kryeministrin Ramush Haradinaj, ka deklaruar se “ka pritur që të jetë më ndryshe, por që prej se është ulur në kolltukun e kryeministrit, vazhdon me koncesionet ndaj Serbisë dhe me privatizimet neoliberale, sikur Mustafa, Thaçi e pararendësit tjerë”.

Kryetari i VV-së ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij, Beogradi po ngutet të bëjë zgjidhje për Kosovën sa më shpejtë sepse “presidenti i Kosovës, Thaçi, është shumë i dobët, meqë po frikësohet nga Gjykata Speciale”.

Intervista e plotë: 

Gazetari: Të nderuar shikues, me ne është zotëri Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët!

ALBIN KURTI : Mirëmbrëma!

Gazetari: Atmosfera politike në rajon po duket pak a shumë si diçka nxehtë/ftohtë. Ditëve të fundit kemi ngritje të sërishme të tensioneve në mes të Kroacisë dhe Serbisë, në mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Ndërkohë që kriza midis Kosovës dhe Serbisë është thuajse e përditshme. A është kjo në njëfarë mënyre taktikë e liderëve politikë në rajon? Deri kur kështu ?

ALBIN KURTI : Në njërën anë, mendoj se keni të drejtë, në kuptimin se autokratët në rajon po ndihmohen në mes veti, duke krijuar tensione politike, që njerëzit të mos mund të fokusohen drejt zhvillimit socio-ekonomik dhe si ta shporrin këtë mjerim social dhe mungesë të zhvillimit. Në anën tjetër, mendoj se problemi kryesor i Ballkanit Perëndimor është Serbia. Serbia po e imiton Rusinë, si një oktapod i vogël me tentakulat e saj gjithandej në rajon. Në Bosnje, ajo e ka Republikën Serbe, në Mal të Zi i ka partitë e veta të cilat nuk e njohin pavarësinë e Malit të zi dhe hyrjen e tij në NATO. Në Kosovë, ajo ka strukturat e veta paralele dhe kontrollin në pjesën veriore të saj, ndërkohë që e ka në grusht edhe opozitën në Maqedoni. Ngjashëm me Federatën Ruse, e cila i ka tentakulat e saj në formë të parashteteve satelite në vendet e saj fqinje, që nga Bjellorusia e Donbasi dhe gjithandej deri në Osetinë jugore e në Abkazi.

Mendoj se ata (Serbia) po duan të imponohen si stabilizues kryesor të rajonit duke pasur fuqinë më të madhe destabilizuese. Ne i njohim gjitha këto veprime që janë shumë të tejdukshme. Mirëpo ne duhet të punojmë shumë, që t’ia sqarojmë këtë edhe faktorëve ndërkombëtarë, por edhe për bashkërendim të ndërsjellë midis nesh, për të mos lejuar që Serbia ta krijojë për shembull edhe në Kosovë një republikë të vogël serbe të cilën e dëshiron jo vetëm në veriun e Kosovës.

Mendoj se ka mundësi dhe ka nevojë, si të them, për një aleancë ballkanike midis boshnjakëve, shqiptarëve, pse jo edhe malazezëve, maqedonasve dhe kroatëve, meqë jo vetëm në shekullin XX, por edhe në shekullin XXI Serbia edhe më tej është problemi kryesor i Ballkanit.

Gazetari: Së fundi, arrestimi i Marko Gjuriqit në Mitrovicë ka shkaktuar tensione më të theksuara midis Prishtinës dhe Beogradit. Sipas jush, zotëri Kurti, kush është përgjegjës për këtë? Beogradi zyrtar, Prishtina zyrtare apo të dyja së bashku?

ALBIN KURTI: Përgjegjësia e Prishtinës është se ky arrestim ka ndodhur me dhjetë vite vonesë. Marko Gjuriqi ka hyrë në Kosovë sa herë që ka dashur, mirëpo qeveria jonë vendosi më në fund ta arrestojë. Por, ai u burgos vetëm për shkak se nuk kishte leje për të hyrë në Kosovë, ndërkohë që problemi përkon me atë se ai në të vërtetë e ka shkelur integritetin dhe sovranitetin territorial të shtetit tonë. Por, ai është mbajtur në arrest vetëm pesë minuta në stacionin policor dhe është dëbuar në Serbi, pa shqiptimin e asnjë dënimi gjyqësor. Mirëpo, unë mendoj po ashtu se Qeveria e Kosovës ka bërë edhe spektakël prej kësaj, për t’u dukur paksa më patriotike, pikërisht në kohën kur ajo po i bën koncesione Vuçiqit, në vend se të ushtrojnë pushtet për të mirën e shtetit dhe për sundimin e ligjit.

Gazetari: Para arrestimit të Gjuriqit, atmosfera u tensionua shumë nga vrasja e Oliver Ivanoviqit. A ka ndonjë paralajmërim nëse do të zbulohen kryerësit e kësaj vepre?

ALBIN KURTI: Kanë kaluar më shumë se tre muaj dhe askush nuk është akuzuar ende. Për herë të parë në historinë shumë të gjatë të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, asnjë serb nuk po fajëson shqiptarët për vrasjen e një politikani serb në Kosovë. Është e qartë se ai ishte armik i Vuçiqit. Mendoj se Oliver Ivanoviqi ishte edhe kriminel lufte. Ai ishte dënuar me nëntë vjet burg për këtë arsye nga ana e gjyqtarëve ndërkombëtarë të Euleksit në Kosovë. Mirëpo, ai ka qenë një kriminel i atillë që me gjasë ishte penduar për të bëmat e tij dhe mbase kishte pranuar të bëhej dëshmitar për t’i dëshmuar krimet serbe të kryera në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Kjo i pengon Vuçiqit. Me të vërtetë është për t’u habitur se si askush nuk është arrestuar deri tani, kur dihet se veriu i Mitrovicës është më i kontrolluar nga Serbia se madje vet Beogradi. Aty ka gjithkund kamera, por po duket sikur askush nuk ka parë gjë dhe sikur nuk është xhiruar asgjë. Kjo ishte një vrasje profesionale, nuk është bërë nga inati i ndonjë individi. Vrasja është kryer me gjakëftohësi dhe me paramendim nga ana e ndonjë organizate. Mendoj se kjo organizatë janë strukturat paralele në Kosovë, të cilat financohen nga buxheti i Republikës së Serbisë dhe që marrin urdhra nga Beogradi.

Gazetari: Me gjithë këto marrëdhënie të këqija, serbët e Kosovës janë pjesë e shumicës që ka formuar qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Çfarë flet kjo në të vërtetë?

ALBIN KURTI: Ata nuk janë as brenda qeverisë dhe as jashtë saj. Për momentin e kemi një qeveri të pakicës në Kosovë e cila ka vetëm 52 deputetë nga gjithsej 120. Pakica serbe në Kosovë që përbën përafërsisht 6% të popullsisë së Kosovës nuk e ka partinë e vet politike, meqë Lista serbe në Kosovë është parti e formuar nga ana e Beogradit. Kjo parti është më shumë ambasadë politike e Beogradit në Kosovë, se parti politike që përfaqëson serbët e Kosovës. Për këtë arsye, mendoj se Qeveria e Kosovës nuk është dashur të ishte kaq e varur nga Lista serbe. Nuk mendoj se kjo qeveri do të ketë jetëgjatësi. Kemi pritur që zotëri Haradinaj do të ishte më ndryshe, mirëpo që prej se është ulur në kolltukun e kryeministrit, ai vazhdon me koncesionet ndaj Serbisë dhe me privatizimet neoliberale, pikërisht sikurse vepruan Mustafa, Thaçi dhe pararendësit e tjerë.

Gazetari: A do të bjen kjo qeveri dhe a do të ketë zgjedhje të reja?

ALBIN KURTI: Paradoksi është se kjo qeveri nuk mund të bie sepse ajo tanimë ka rënë. Nuk e ka as shumicën e thjesht. Por nga ana tjetër është e vështirë ta bëjmë shumicën tonë opozitare që do të shkaktonte zgjedhje të reja. Megjithatë, po shkojnë në këtë drejtim.

Gazetari: Serbia për muaj të tërë është duke paralajmëruar zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Çfarë prisni se do të pranojë Beogradi dhe në këtë kontekst, çka do të ishte zgjidhje e përshtatshme për të dyja palët?

ALBIN KURTI: Beogradit po i ngutet që sa më parë ta bëjë zgjidhjen për Kosovën për shkak se presidenti i Kosovës Thaçi është shumë i dobët, meqë ai i frikësohet shumë Gjykatës Speciale. Ndërkohë, nga ana tjetër, Vuçiqi dëshiron ta jetësojë këtë zgjidhje para se Kosova ta formojë ushtrinë e saj. Me rastin e vizitës së tij në Kosovë, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan Wess Mitchell tha se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Prandaj Vuçiqi ngutet ta bëjë këtë zgjidhje para formimit të ushtrisë. Arsyeja e tretë pse ai po ngutet përkon me faktin se Serbia nuk do të mund të hyjë në Bashkimin Europian pa njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ajo dëshiron ta ketë një zgjidhje të mesme, zgjidhje kompromisi, me të cilën Vuçiqi do të shkonte në Bruksel ku do të thoshte atje se Serbia mund të ec drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian pa njohjen e Kosovës. Mendoj se nuk do ta lejojmë një gjë të tillë, sepse populli i Kosovës, opozita në Kosovë, pavarësisht gatishmërisë së presidentit tonë për t’i bërë lëshime z.Vuçiq, nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, meqë e kemi përvojën e Bosnjës dhe nuk mund të lejojmë që ajo të përsëritet edhe me Kosovën, që të bëhet një shtet i dështuar, ku mbijetesa trajtohet si sukses.

Gazetari: Zotëri Kurti, si i vlerësoni marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës?

ALBIN KURTI: Dëshira ime është që Prishtina dhe Sarajeva të bashkëpunojnë sa më shumë. Mendoj se gjatë ish-Jugosllavisë, ne shqiptarët kemi vuajtur më shumë se ju në paqe, por ju keni vuajtur më shumë se ne gjatë luftës. Shqiptarët dhe boshnjakët janë dy popujt që kanë vuajtur më së shumti. Gjithashtu ne nuk kemi probleme me Sarajevën, sikur që as Sarajeva nuk ka probleme me Prishtinën, mirëpo edhe Prishtina edhe Sarajeva kanë probleme me Beogradin. Unë jam i vetëdijshëm se Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të Republikës Serbe që po abuzon me veton e saj. Prandaj, problemi rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës është edhe problem i Bosnjës dhe Hercegovinës si i tillë. Mirëpo, ne patjetër duhet të gjejmë zgjidhje të ndryshme, duke u bashkërenduar sa më shumë, në relacionin Sarajevë- Prishtinë, por edhe Tiranë. Ngaqë mendoj se po ballafaqohemi me probleme të ngjashme dhe pavarësisht vetos së Republikës Serbe, ne patjetër duhet të sigurojmë kanale të tjera për të bashkëpunuar sa më shumë, si në kuptimin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Gazetari: Po, gjithsesi në kuptimin ekonomik. Zotëri Kurti, ju faleminderit që keni ndarë kohën për të qenë mysafir yni.

KURTI: Ju falemnderit edhe juve për këtë mundësi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme