Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit doli partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk do të mund ta formojë e vetme qeverinë dhe i duhet të bëjë koalicione.
Ishte numërimi që zgjati më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Më në fund të mërkurën mori fund i gjithë procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.96%, duke siguruar 24 mandate.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi 18.43% dhe siguroi 20 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma fituan vetëm 7.08%, duke siguruar 8 mandate.
20 ulëse në Kuvendin e Kosovës janë të rezervuara për pakicat, 10 nga to për serbët e Kosovës.
“KQZ-ja është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ky nen parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Skenari i parë është një koalicion mes LVV-së, partive të komunitetit jo shumicë (përjashto Listën Serbe) dhe një partie politike shqiptare. Që ky skenar të realizohet në praktikë, do të kërkonte qasje afruese nga LVV dhe një gjuhë të moderuar për të lënë hapësirë për bashkëpunim, e cila nuk ka ndodhur deri më tani. Përkundrazi, lideri i LVV-së i quajti liderët opozitarë me gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë ofenduese si ‘hajvanë’, që në gjuhën shqipe është sinonim i fjalës ‘kafshë’. Në këtë drejtim, është krijuar përshtypja se LVV, të paktën në publik me veprimet e saj, po abstenon nga e drejta për të formuar qeverinë e ardhshme, duke krijuar atmosferë dhe klimë përçarëse e polarizuese kundër të gjithëve”, thotë Miftaraj.
Por nga analistët shihen edhe skenarë të tjerë mundshëm, si për shembull formimi i qeverisë së pakicës nga ana e partive politike opozitare, së paku me komunitetet joshumicë.
BE-ja pret formimin e qeverisë së re në Kosovë
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë u mbajtën pa incidente.
Pas një bojkoti disavjeçar, në zgjedhje mori pjesë edhe Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës.
“Bashkimi Evropian pret që Kuvendi dhe Qeveria e re të formohen në përputhje me vullnetin e popullit dhe se do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj për të arritur integrimin evropian, përfshirë zbatimin e angazhimeve të saj, sidomos në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë dhe forcimin e sundimit të ligjit”.
Në deklaratën e BE-së u bëhet thirrje autoriteteve në Kosovë të angazhohen për bashkëpunim rajonal të përgjegjshëm dhe të intensifikojnë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.
“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është mënyra e vetme që Kosova të arrijë progres në rrugën e saj evropiane”, theksohet në deklaratë.
Katër kandidatë nga katër partitë më të mëdha garuan për postin e kryeministrit. Të drejtë vote kishin rreth 2 milionë qytetarë, ndërsa votuan vetëm rreth 800 mijë, e shndërruar në përqindje, pak mbi 40%.
Parlamenti i Kosovës i ka 120 ulëse dhe, në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosja, që doli partia e parë, nuk do të mund ta formojë e vetme qeverinë. Asaj i duhet koalicion me ndonjërën nga partitë e tjera. /DW