Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas takimit të kishte me Këshillin Grevist.
Kurti në një konferencë për media ka thënë se në takim i kanë bërë një ofertë sindikalistëve, për të cilën ata kanë thënë se do të bisedojnë me anëtarësinë. Mirëpo, Kurti thotë se kjo nuk u bë, pasi anëtarët e Këshillit Grevist menjëherë pas takimit dolën thanë se greva vazhdon.
Kurti kërkoi sërish që greva të ndërpritet dhe mësimi të fillojë, teksa dha më shumë detaje për ofertat që i kanë bërë Këshillit Grevist, shkruan Reporteri.net.
Kurti bëri të ditur se oferta e dytë ishte që bashkërisht me BSPK do ta bëjnë reformën në sistemin pensional, dhe e treta ishte që tek barnat esenciale Qeveria do të shtojë edhe 10 milionë euro.
Kurti sërish ka akuzuar SBASHK-un për shantazh, derisa ka thënë se ata janë barrikaduar tek 100 eurot.
“Edhe një herë kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut e komunikimit. Në takim disa herë u tha të dalim nga kjo situatë edhe ju edhe ne. Unë besoj se në situatë të vështirë nuk është as qeveria as SBASHK, por arsimi dhe unë jam këtu ta ndihmoj arsimin. Si shtesë kësaj pakoje për përballje me inflacionin ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve, për të cilat na premtuan se do ta pyesin anëtarësinë. Kështu na u tha në takim. Posa dolën nga takimi deklaruan për media se greva vazhdon, kur e pyetën anëtarësinë. Ne u thamë se do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për projektligjin për pagat. Ne atyre ua dhamë lajmin e parë sepse këtë javë fillon diskutimi.
Të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK do ta bëjmë reformën në sistemin pensional, edhe për këtë u zotuam sot, dhe tjetra që tek barnat esenciale do të shtojmë edhe 10 milionë euro. Nuk e di çfarë anëtarësie është ajo e cila reduktohet ndoshta në një telefonatë”, tha Kurti ndër të tjera.
Në anën tjetër, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj pas takimit ndër të tjera ka thënë se sa i përket kërkesës për ndarjen e 100 eurove, kanë qenë të gatshëm të bëjnë një kompromis të vogël, por se nga ana e Qeverisë nuk ka pasur ndryshim të qëndrimeve.
“Sapo dolëm nga një takim i shumëpritur. Takimi ishte goxha i gjatë. Të dy palët ndamë qëndrimet tona, ne ia rikujtuam kryeministrit kërkesat tona që tashmë i dini. Ata na treguan prapë angazhimet që janë bërë. Takimi ishte përmbajtjesor, por nuk ka ndryshime. Qeveria qëndron prapa atyre që i ka thënë, dhe ne qëndrojmë prapa kërkesave tona. Temë e nxehtë ishte edhe pakoja që e kanë dhënë pa diskutim me ne, ne kërkuam që ajo shumë të lëvizë. Ne ishim të gatshëm të bëjmë këtu edhe një kompromis të vogël, por Qeveria qëndroi te ajo shumë. Në takim nuk morëm asgjë pozitive dhe prapë do të mbesim në situatën e njëjtë”, tha Jasharaj para mediave. /Reporteri.net