Kancelari austriak, Sebastian Kurz, është shprehur kundër propozimit të shumë përfolur ditëve të fundit për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për të përditshmen boshnjake, “Avaz”, Kurz ka thënë se Austria përkrah progresin në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, mirëpo shkëmbimi i territoreve sipas tij nuk do të siguronte stabilitet në Ballkan, transmeton lajmi.net.
“Ne përkrahim çdo marrëveshje e cila është në të mirë të fuqizimit të bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit. Për sa kohë që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është në proces, i kam premtuar liderëve të të dy vendeve se Austria do të përkrah progresin në këtë drejtim”, ka thënë Kurz.
Tutje, Kurz ka shtuar se pas shumë viteve të konflikteve të armatosura, ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk do të ndikonte për të mirë në situatë e këtij regjioni.
“Është vështirë e imagjinueshme shkëmbimi i territoreve, sepse pas shumë viteve të konfliktit të armatosur në Ballkan, ndryshimi i kufijve nuk do të kontribuonte në stabilitetin e regjionit”, përfundoi Kurz.
Kurz në këtë intervistë foli edhe për rëndësinë e regjionit të Ballkanit për Bashkimin Evropian, për të cilën tha se kjo temë do të jetë gjithnjë në fokusin e politikës së jashtme evropiane dhe në agjendat e diskutimit.