Një vendim i ri i kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila lidhur me transportin e nxënësve ka ngjallur zemërimin e banorëve të fshatrave të Gjakovës, të cilët revoltën e tyre e kanë shprehur disa herë në takime me përfaqësues komunal, si dhe kanë paralajmëruar radikalizim të veprimeve lidhur me këtë vendim.
Kështu është raportuar sot në disa media, lajm i cili fillimisht u zbulua nga portali Sakte.net, mirëpo një gjë e tillë është mohuar nga vetë Mimoza Kusari- Lila.
Në një prononcim për Telegrafin, Kusari- Lila ka thënë se “Qeverisja komunale e Gjakovës në vitin 2014 ka marrë vendim që të barten të gjithë nxënësit në Komunën e Gjakovës të cilët kanë distancë drejt shkollave me mbi 4km”.
Ajo ka theksuar se ky veprim e ka tejkaluar udhëzimin administrative të MASHT-it, që parasheh që komunat të sigurojnë transport për nxënës të cilët kanë distancë 2.5 km.
“ Me këtë rast nga numri prej 700 nxënësve është arritur që në vitin 2015 të barten mbi 2,100 nxënës në Komunën e Gjakovës. Pas shkurtimeve buxhetore nga Ministria e Financave , komuna përballet me vështirësi financiare për të cilat është në diskutim me ministrinë e Financave për ngritjen e buxhetit në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, kategori kjo nga e cila është paraparë edhe mbulesa e transportit të nxënësve”, u shpreh Kusari-Lila.
E para e Gjakovës ka shtuar më tej se janë ende në pritje të përgjigjes zyrtare nga Ministria e Financave, dhe se deri në një vendim përfundimtar nga kjo ministri nuk mund të definoj saktë zgjidhjen e problemit të transportit për nxënës gjatë këtij viti.
“ Përndryshe, në vitin 2017 që nga muaji Janar, Komuna ka planifikuar 200 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e transportit për vitin e ri shkollor të nxënësve”, ka thënë Kusari-Lila.