Mimoza Kusari Lila e cila sipas rezultateve të para, ka humbur garën për kryetare të Gjakovës, ka shkruar një mesazh për mbështetësit e saj, të gjithë qytetarët e Gjakovës si dhe për kryetarin e zgjedhur, Ardian Gjini.
Ajo shkruan në Facebook:
Mirëmengjesi Gjakovë,
Sot është një ditë e re në realitet të ri. Ishim bashkë katër vite me sfida dhe angazhime, por edhe suksese dhe të arritura.
Asaj çfarë ne besuam dhe e vlerësuam, deri në fund i qëndruam besnik.
Në fushatën dy mujore folëm dhe ju prezantuam çfarë menduam se është programi më i mirë për Gjakovën në #plus4 por nuk arritëm të bindim shumicën për këtë program, kjo është demokracia.
Unë, nga thellësia e zemrës ju Falenderoj për besimin tuaj, respektin dhe vlerësimin që na dhatë gjatë katër viteve bashkëpunim dhe dy muaj fushatë.
Faleminderit afër 19,000 votuesve që besuan se duhet të rrugëtojmë bashkë dhe gjithë të tjerëve që besuan ndryshe.
Faleminderit kandidatëve për asamble komunale, aktivistëve dhe vullnetarëve tonë që treguan standard dhe devotshmëri si asnjëherë më parë në një garë politike. Ishit dhe do të mbeteni frymëzimi im për të vazhduar rrugëtimin tonë politik bashkë.
Ne e humbëm një betejë dje, por luftën për demokraci dhe shoqëri të barabartë do e vazhdojmë pa u lëkundur.
Këtë betejë nuk e bëmë për veten tonë, kjo betejë ishte për Gjakovën. Bashkë nuk deshtem Gjakovën të kthejmë në të kaluarën, por evidente është se nuk ishim shumica që menduam ashtu.
Uroj të kemi qenë gabim dhe Gjakova të rrugëtojë përpara.
Ia uroj mandatin e fituar Ardian Gjinit duke shpresuar se me të vërtetë do të jetë kryetar i të gjithëve dhe do të ushtroj sovranitet të plotë në detyrën e tij. Gjakova e zgjodhi atë të qeveris, andaj ai tani i ka borxh Gjakovës ta qeveris.
Urime Gjakovë, të priftë e mbara!
Gjithmonë e jotja,
Mimoza