Dje ishte Dita e Flamurit, 109 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me të cilën festë koincidon edhe ditëlindja e Adem Jasharit, heroit të Kosovës.
Por, edhe për rolin e tij, vazhdojnë të deklarohen në mënyra të ndryshme, jo për personalitetin, veçmas nga e majta.
Kështu p.sh., e majta e dikurshme (ish-lpkistët) nuk ia njohin publikisht pjesëmarrjen Adem Jasharit në grupet e stërvitura për luftë në Kosovë, të bërë sipas një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë, dhe LDK-së.
Edhe pse pjesëmarrja e Adem Jasharit, është e dokumentuar edhe me vendim për stërvitje nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, me listat e anëtarëve të grupeve, me listat e çitjes, fotografi të njerëzve të stërvitur me rroba të ushtrisë së Shqipërisë, me foto të grupeve veç e veç, njëra e publikuar shumë vonë, ku shihet edhe Adem Jashari i rrethuar me dhjetëra veta, me një prapavijë mali, dhe tjetra e kontestuar shumë gjatë, e bërë në vitin 1993, ku shihet po Adem Jashari në rolin e truprojës së Ibrahim Rugovës.
Pas hyrjes së grupeve të armatosura ndodhën bastisjet
Në tetor të vitit 1991, pas marrëveshjes së përmendur, niset grupi i parë, të cilët pasi strehohen në Shqipëri, i fillon stërvitjet.
Grupi i parë kishte së paku 54 veta në stërvitje, në mesin e tyre ishte edhe heroi Sali Çekaj, i cili do të bëhet edhe udhëheqës i këtij grupi, dhe më vonë i të dyja grupeve, përkatësisht të anëtarëve, të cilët do të pranojnë të hyjnë në Kosovë, për të krijuar rezistencë të armatosur. Pjesë e grupit të parë ishte edhe Zahir Pajaziti, që do të vritet në vitin 1997 në një sulm të armatosur në prit të policisë serbe, por në rrethana të dyshimta.
Pas grupit të parë në muajin nëntor do t’i fillonte stërvitjet edhe grupi i dytë me 55 veta, pjesë e të cilit ishte Adem Jashari, përvojë që si duket do ta shtynte, gjithnjë e më shumë për realizimin e idesë për luftë me Serbinë.
Disa javë pas hyrjes së tyre të armatosur në Kosovë do të ndodhin bastisjet e mëdha të operacioneve policore serbe, në kërkim të armëve, dhe të atyre që kishin marrë pjesë në stërvitje, si në fshatrat Prekaz te familja e Adem Jasharit, në Broliq fshati i Sali Çekajt, në Kodrali vendlindja e Osman Ferizit, Beleg fshati i Sami Tahirajt, e në vende të tjera, pasi pushteti i Millosheviçit iu kishte rënë në gjurmë pjesëmarrësve të stërvitur. Në fakt stërvitjet në Shqipëri, qenë ndërprerë pasi operacioni ishte dekonspiruar. Në këto rrethana, puna e mëtutjeshme e grupeve vazhdohet në Kosovë.
Për herë të parë, në Kosovë do të shënohet solemnisht stërvitja e këtyre dy grupeve, dhe hyrja në Kosovë e 33 prej tyre, të armatosur me 2 dhjetor 1991. Përveç ceremonisë që mbahet në Pejë, do të vendoset edhe pllaka memorialë përkujtimore me emrat e atyre që hynë të armatosur.
Në këto grupe, bënin pjesë Sali Çekaj, Adem Jashari me nipin Murat (Rifat) Jashari, Zahir Pajaziti, Ilaz Kodra e shumë heronj të tjerë të Kosovës.
Këto grupe, sipas dëshmitarëve të kohës e bëjnë bërthamën e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por, përkundër këtyre dëshmive, dikush akoma e mohon të vërtetën e themelimit të UÇK-së, duke u munduar t’ia atribuojnë një grupi prej 4-5 vetave. Janë pjesëtarët e ish LPK-së, që nuk duan ta pranojnë të vërtetën.
Ata akoma bëjnë propagande se kinse themeluesit e UÇK-së janë ata, edhe pse shumica prej tyre në luftën e Kosovës kanë ardhë në vitin 1998 e ’98-ës, bile shumica (edhe pse vetëm disa individë) pra pas rënies së komandantëve Adem Jashari e Zahir Pajaziti.
“Organizimi i sistemit të mbrojtjes në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës, filloi në vitin 1991”.
Stërvitjet me leje-vendim shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë
Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, bashkorganizator i këtyre grupeve të luftës në Kosovë me Sali Çekajn, thotë se, LPK-ja ka pretendim të padrejtë kinse ajo është pronare e UÇK-së.
“Pyetjes që ju e shtroni se kush e themeloi UÇK-në dhe cila është data e saktë e themelimit, deri më tani askush nuk e ka dhënë një përgjigje të saktë dhe të besueshme! Arsyeja kryesore, se pse po ndodhë kështu, është pretendimi i padrejtë i LPK-së që ajo të jetë “pronarja” e UÇK-së. Organizimi i sistemit të mbrojtjes në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës, filloi në vitin 1991. Pas një marrëveshjeje në mes të Presidentit Ramiz Alia dhe të dërguarve të LDK-së, me kryetar Ibrahim Rugovën, filloi stërvitja e grupeve të para nga Kosova dhe viseve tjera të shqiptare. Vendimin për lejimin e stërvitjeve ushtarake dhe vendin se ku do të mbahen ato, e lëshoi ministri i mbrojtjes, Perikli Teta. Vendi u caktua në Surrel, afër Tiranës dhe u caktua përgjegjës për t’i përcjellur ushtrimet Zv. ministri Halil Hyseni së bashku me një grup oficerësh, ndër më të mirët nga ushtria shqiptare”, thotë Tahiraj për gazetën “Bota sot”.
Ai thekson se, pas përfundimit të ushtrimeve u futën në Kosovë përmes kanaleve të ndryshme.
Aksionet e para të grupeve guerile me Sali Çekun, Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin
“Nga grupi i dytë, 32 ushtarë, me një sasi të konsiderueshme armatimi, me 02.12.1991, u futën në Kosovë, nën komandën e Sali Çekut. Kjo ishte ndërmarrja më serioze ushtarake në kuadër të institucioneve të Kosovës për kohën. Por nga dhjetori i vitit 1991, filluan edhe aksionet e para. Kishte edhe më parë aksione individuale apo të ndonjë grupi të vogël, por kjo ishte krejtësisht diçka tjetër, ishte në kuadër të institucioneve të Kosovës. Këto aksione të këtyre grupeve vazhduan pa u ndalur, ku më aktive ishin; grupi Deçanit, i komanduar nga Sali Çeku; i Drenicës, nën komandën e Adem Jashari, i Llapit, i komanduar nga Zahir Pajaziti dhe ai nga rrethina e Ferizajit, i komanduar nga Ahmet Hoxha. Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës u themelua me 31.10.1991 e cila ishte shumë aktive në organizimin e sistemit të mbrojtjes. Kur kishim të gjithë këtë organizim institucional shumë profesional, të drejtuar nga profesionistë të vërtetë të të gjitha drejtimeve ushtarake. Lind pyetja shumë legjitime se çfarë i duhej Kosovës një organizim tjetër ushtarak i cili lindi vetëm si emër në vitin 1994. Pagëzimi i këtij organizimi ushtarak me emrin UÇK-ja, nuk kishte lidhje me njësitet guerile në Kosovë të cilat filluan aksionet e para në vitin 1991”, thotë ai.
Sali Çekaj me shokun e tij Zymer Lulaj, me rrobat ushtarake të Shqipërisë, gjatë stërvitjeve në vitin 1991
Po ashtu ai vë në dukje faktin se aksionet që i kryenin këto grupe, në mënyrë misterioze i përvetësonte LPK-ja, vetëm nëpërmjet propagandës së saj.
Tahiraj shprehet se, fillimi i lëshimit të komunikatave në emër të aksioneve guerile që kryenin njësitet guerile në Kosovë ishte tejet i pandershëm, tinëzar nuk kishin kurrfarë lidhje me ta.
Autoriteti i LPK-së kishte rënë shumë poshtë!
“Qëllim kryesorë i LPK-së ishte që përmes këtyre komunikatave të tregohet se ishte themeluese dhe pronare e UÇK-së. E vërteta ishte se ato njësite guerile në Kosovë nuk kishin kurrfarë lidhje me LPK-në, të cilët tani fshiheshin pas emërtimit UÇK! Këtë po e bënin sepse autoriteti i tyre kishte rënë në popull, të cilin në fakt se kishin pasur asnjëherë, por tashmë kishte rënë shumë poshtë. Për t’i dhënë përgjigje të saktë pyetjes suaj, lirisht mund të them se bërthamat e ushtrisë së Kosovës ishin pikërisht ato dy grupe dhe rrjeti gjithandej që ishte në mbarë Kosovën dhe më gjerë”.
Tahiraj thotë se derisa LPK-ja i lëshonte komunikatat për aksionet që kryenin grupet guerile, të krijuara dhe udhëhequra nga LDK-ja, së paku ta pranojnë se këto grupe ishin bërthama e UÇK-së.
“Realisht, nëse shikojmë aktivitetin gueril të njësiteve guerile në terren dhe komunikatat që lëshonin LPK-ja nga Zvicra dhe nga ndonjë shtet tjetër, në emër të UÇK-së, le ta pranojnë se këto njësi guerile ishin bërthamat e para të UÇK-së. Nëse LPK-ja vazhdon të insistoj se ajo është themeluese e UÇK-së dhe pronare e saj, atëherë ajo detyrimisht që do të mbetet lakuriq siç ishte, duhet t’i largoj nga komunikatat si “pronë” e tyre, të gjitha aksionet guerile që drejtuan komandantët, Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, Gani Geci dhe shumë të tjerë që kurrfarë lidhje nuk kishin me organizatën politike jashtë vendit të quajtur LPK”, thekson ai.
Sipas tij, ky mashtrim vazhdoi deri në fillimin e luftës në Kosovë dhe u përpoq të ruaj këtë imazh të huaj edhe gjatë luftës.
“Shumica dërmuese i besonin Presidentit Rugova”
“I gjithë ky devijim i LPK-së, i fshehur prapa emrit UÇK, ndodhi për të vetmen arsye se autoriteti i tyre ra shumë poshtë. Me themelimin e LDK-së dhe institucioneve të Kosovës, pothuajse shumë pak individ ju besonin atyre. Shumica dërmuese i besonin Presidentit Rugova, LDK-së dhe institucioneve që ndërtuan”.
Sipas Tahirajt, këto përplasje të panevojshme të krijuara nga LPK-ja, u reflektuan shumë keq në luftë.
“Fillimi i luftës filloi tejet keq. U anashkaluan dhe u luftuan institucionet legjitime të Republikës së Kosovës që kishin dalur nga vota e lirë gjithëpopullore. Duke shfrytëzuar edhe bashkëpunimin me agjenturat e vjetra ballkanike kundër kësaj epërsie dhe sensibilizimit ndërkombëtarë, për herë të parë i këtij lloji, filluan, listat e ekzekutimeve që dënonin me vdekje. Fatkeqësisht patën përkrahjen e një pjesë të socialistëve të Tiranës. Kjo ishte e pritshme. Me gjithë përpjekjet e mëdha që bëri elita politike dhe ushtarake e institucioneve të Kosovës për një marrëveshje që të tejkaloheshin këto, nuk u arrit. Kujtojmë këtu Marrëveshjen e Osllos të cilën edhe pse u pajtuan, LPK-istët e tërbuar nga urrejtja, kurrë nuk e zbatuan këtë, përkundrazi filluan zbatimin e listave të zeza. Filluan me ministrin e Mbrojtjes Ahmet Krasniqin, për të vazhduar me një listë të gjerë emrash nga elita politike dhe ushtarake e institucioneve përkatëse të Kosovës. Kjo formë misterioze e zhdukjeve në stilin e OZNA-s famëkeqe, vazhdoi edhe pas lufte. Krijuan institucione fiktive dhe parti politike me emrin famoz “Parti të dala nga Lufta””, thotë Tahiraj.
Ai tutje shprehet se, qëllimi kryesor i këtij emërtimi ishte të merrej pronësia absolute e luftës, mu ashtu si me pagëzimin e UÇK-së.
“Ishin këto apetite të agjenturave nga jashtë që rekrutuan bashkëpunëtorë për përçarje të unitetit, të luftës çlirimtare, për likuidimin e atdhetarëve shtetformues e deri edhe vrasje midis shokësh që të konkurrojnë për kupolën e shtetit. Drejtësia u vra. Prandaj, janë sot në gjykatën speciale i gjithë grupi”, thotë Tahiraj.
“Luftën e bënë nën emblemën e UÇK-së”
Ata morën merita nga se askush nga pala tjetër nuk donte luftë tjetër, veçse me Serbinë, ndërsa lufta u bë nën emblemën e UÇK-së për unitet sepse pjesa dërmuese i besonin presidentit Rugova.
“E bëra një përshkrim të shkurtër të rrugëtimit të rezistencës së armatosur për të ardhur në përfundim të konkludimit se i tërë organizimi i mirëfilltë ishte në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës sepse vetëm atyre i besoi shumica dërmuese e popullit. Thirrjes për luftë ju përgjigjën pjesa dërmuese e popullit në forma të ndryshme. Luftën e bënë nën emblemën e UÇK-së për unitet sepse pjesa dërmuese besonin dhe respektonin Presidentin Rugova dhe institucionet profesionale. Këtë veprim e bënë sepse nuk donin përçarje dhe t’ju ndërpritej rruga armiqve. Këtë përkrahje dhe besim e treguan me votën e tyre pas lufte, me plebishit dhe i besuan Presidentit. Për të ardhur deri te e vërteta se kush e inicioi i pari luftën dhe cila është koha e saktë, duhet një debat me akterët kryesorë profesional në Kosovë dhe mërgatë”, potencon ai.
“Bërthamat e para të ushtrisë së Kosovës janë dy grupet e para që ushtruan në Shqipëri”
Tahiraj thekson se, fillimisht LPK duhet të largohet përfundimisht nga pretendimi se ajo është themeluese dhe pronare e luftës sepse realisht rrenë.
“Nëse nuk e pranon këtë atëherë ajo do mbetet e vetmuar me një grup të vogël njerëzish që nga uzurpimet dhe veprat e këqija, kanë mbetur pak në krahasim me organizimin institucional. Bërthamat e para të ushtrisë së Kosovës janë dy grupet e para që ushtruan në Shqipëri. Komandanti i parë i tyre ishte Sali Çeku i cili komandoi grupin prej 32 ushtarëve dhe thyen kufirin shqiptaro-shqiptar me 02.12.1991. Si simbol i themelimit të këtyre bërthamave janë katër komandantët e parë: Sali Çeku, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Ahmet Hoxha. Nëse pajtohemi të gjithë që këtë nismë institucional ta quajmë UÇK, atëherë po këqyrim në unitet e po pajtohemi të gjithë. Sikur kjo të ndodhë që UÇK të jetë pronë e popullit të Kosovës, që nga themelimi e gjer më sot e jo pronë e një organizate politike ose grupacioni njerëzish jashtë vendit e me plot gabime, do ishte vërtetë madhështore”, përfundon Saim Tahiraj.
Gur themeli i UÇK-së ishin dy grupet e para në Shqipëri
Ndërsa, analisti politik Gazmend Islami, thekson se, tani është duke u bërë propagandë e fuqishme dhe është bërë gjatë gjithë kohës se kush e krijoi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Proklamimet e tilla zakonisht i bënë Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila pretendon se ajo është themeluesja e UÇK-së, por nuk qëndron. E vërteta është tjetër. Përpjekjet e popullit shqiptar asnjëherë nuk janë ndalur që të vijnë deri te formimi i UÇK-së. Mirëpo, fillimet e kësaj ushtrie janë qysh me grupet e para të cilat shkuan në Shqipëri për stërvitje ushtarake. Pra, aty është gur themeli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku fatbardhësisht në të dy grupet kemi komandantët më të shquar të UÇK-së, Adem Jasharin, Sali Çekun e Zahir Pajazitin. E kjo tregon që qëndrimi i këtyre emrave në UÇK, bërthama e UÇK-së fillon aty. Pra, gjatë fillimit të vitit 1991 dhe 92 kanë filluar grupet e para ilegale për shkak se dekonspirimi që iu bë këtyre dy grupeve që ishin në Shqipëri ua pamundësonte atyre të zhvillonin aktivitetin e tyre brenda Kosovës”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.
Sipas tij, Xhavit Haliti, Azem Syla, Kadri Veseli e Hashim Thaçi iu bashkëngjitën luftës në vitin 1998.
“Krerët që thonë se ata janë themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, Azem Syla, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, nuk janë, por këta lirisht mund të themi që pas rënies së Zahir Pajaziti dhe Adem Jasharit në vitin 1998 janë futur përmes SHISH-it të Shqipërisë që u pamundësonte shqiptarëve që të futen brenda Kosovës, dhe nuk ishin këta të lidhur me strukturat e UÇK-së”, përfundon Gazmend Islami.