Një vajzë e re nga Durrësi ka rënë në prangat e Policisë së qytetit bregdetar për mashtrim. Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen e quajtur Enertila Beqja 27 vjeçe, banuese në Durrës. Më datë 22.08.2017 ka bërë kallëzim shtetasi me inicialet B.A. 30 vjeç, edhe ky banues në Durrës, në ngarkim të shtetases së mësipërme pasi dyshohet se e ka mashtruar duke i marrë shumën prej 6 000 000 lekë të reja. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale” Mashtrimi” parashikuar në nenin 143/3 të Kodit Penal. Profli në foton më poshtë është ai i Enertilës në rrjetet sociale, e me këtë adresë ajo komunikonte me djalin e ri, me të cilin kishte krijuar njohje dhe lidhje prej dy vitesh, por pa u takuar asnjëherë fizikisht
Ajo i dërgonte djalit nga Manza foto, edhe erotike, por jo të sajat, të vajzave të tjera të cilat ajo do të donte tu ngjante fizikisht… Gjithë këtë kohë ajo e kishte shtyrë me mashtrime dhe gënjeshtra, pa i dalë asnjëherë në takim djalit të ri nga Manza, por paratë nuk ka ngurruar t’ja zhvasë kohë pas kohe, duke ia kërkuar edhe me arsyetimin se kishte halle dhe probleme. Por kur i riu ka nuhatur se e gjitha ishte një skemë dhe lojë, ka vendosur të shkojë në Polici për të kallëzuar. Aty ai ka treguar edhe se paratë që i ka marrë e reja, ia kanë dërguar vëllezërit që jetojnë në emigracion, në mënyrë që atij të mos i mungonte gjë, por ia ka zhvatur vajza që njohu në FB./panorama.