Kush është pro e kush kundër Speciales

Ambasadorit amerikan Greg Delawie, edhe një herë tjetër i është dashur të shkojë në Kuvendin e Kosovës pas natës së 22 dhjetorit, por nuk ka qenë i shqetësuar sikur atë ditë.

Në fotografinë e dërguar pas takimit, Delawie duket i buzëqeshur derisa shtrëngon duart me Kadri Veselin, kryetar i Kuvendit e i PDK-së, raporton KTV.

Takimi erdhi pas rikthimit të projektligjit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në agjendën e legjislativit, që nga java e ardhshme fillon punën pas pushimit.

pjesë e rendit të ditës për mbledhjen e kryesisë që mbahet të mërkurën, është edhe kërkesa e shoqatave të dala nga lufta për seancë të jashtëzakonshme.

Deri tani, nga listat prej 43 deputetëve nënshkrues të iniciativës, vetëm Islam Pacolli i AKR-së ka tërhequr nënshkrimin e tij .

Pacolli, bashkë me deputetin tjetër të AKR-së, Labinot Tahirin, gjatë ditës kanë takuar shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, ku siç ka shkruar ai, kanë konfirmuar qëndrimin e partisë së tij se nuk do të bëhen pjesë e iniciativave që dëmtojnë marrëdhëniet e Kosovës me aleatët perëndimorë.

Të kontaktuar nga KTV-ja, deputetë të PDK-së, nuk kanë preferuar të flasin për punën e nënshkrimeve, nën arsyetimin se nuk kanë pasur rastin të diskutojnë ende në grup parlamentar.

Deputeti, Hajdar Beqa, përmes telefonit, ka thënë se mbetet prapa nënshkrimit të tij, por se do të veprojë në harmoni të vendimit të partisë, e nëse është interes i shtetit, do ta tërheqë atë.

Derisa Lidhja Demokratike, mbetet e vendosur në kundërshtim të iniciativës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, portalit Koha.net i ka thënë se është bërë një lëmsh mes iniciativës së deputetëve dhe nënshkrimeve të mbledhura nga veteranët.

Përndryshe, Kadri Veseli, ditë më parë në një shkrim dha shenjat e para për tërheqjen nga qëndrimi pro shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale, që nuk u realizua më 22 dhjetor, vetëm shkaku i mungesës së kuorumit në kryesinë e Kuvendit.

© KOHA. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme