Ahmet Krasniqi u vra më 21 shtator 1998 pak para mesnate në Tiranë. Ai ishte ministër i mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit.
Trupi i tij prehet në varrezat e Sharrës, shumë pranë mikut të tij Azem Hajdari.
Ju sjellim një intervistë të para pak vitesh, nga një kushëri i afërt i Krasniqit, i cili rrëfente për gazetën shqiptare.
Pjesë nga intervista, në vijim:
Aziz Krasniqi kushëriri i parë i Ahmet Krasniqit, përmes një interviste për “Gazetën Shqiptare”, rrëfen detaje nga jeta e tij dhe përplasjet brenda politikës kosovare në ato vite.
Sivjet bëhen 15 vjet nga vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes Z. Ahmet Krasniqi i ekzekutuar në Tiranë, sa ju ka lënduar vdekja e tij?
Krasniqi: Vrasja e tij na ka lënduar shumë për faktin se është vrarë në shtetin amë, siç e kemi ditur dhe shumica e shqiptarëve të Kosovës të tillë e dinë ende. Në Tiranë Ahmeti nuk ishte ilegalisht, të gjitha institucionet e shtetit shqiptar e kanë ditur, pasi ai banonte në Tiranë dhe ajo banesë kishte adresë. Aty ishte me mision dhe ai mision ishte çlirimi i Kosovës.
Si e kujtoni momentin e vrasjes se tij, kush jua tha e ku ndodheshit?
Krasniqi: Ishte 22 shtatori 1998, ishim në një ofensivë serbe, që e kishte kapluar tërë rrezen e Qyqavicës. Kanë qenë lajmet e orës 13:00, kur morëm lajmin e vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, ishte një lajm shumë i kobshëm për ne si familje dhe një ndër ligësitë më të rënda që mund t’i bëheshin familjes sonë, kur dihet fakti sa ka dhënë kontribut familja jonë për një Shqipëri të Madhe dhe ku ishte vrarë.
Kemi dëgjuar se në varrimin e z. Krasniqi nuk ishin prezentë krerët e UÇK-së, madje kishte pak pjesëmarrje, pse kështu?
Krasniqi: Për krerët e UÇK-së që rrinin në Tiranë nuk di, por di se Komandanti i UÇK-së të Shtabit të Qyqavicës (Shtab i dytë në Kosovë, pas atij të Likofcit) Hashim Krasniqi nga Zhilivoda kishte biseduar disa herë me Ahmetin në telefon nga Qyqavica në Tiranë: Hashimi në varrim nuk ka mundur t’i shkojë, sepse atëherë ishte ende luftë, por për ta nderuar te varri i ka shkuar në disa përvjetorë. Herën e fundit ka qenë më 21 shtator 2012. Besoj shumë që për 15-vjetorin, nëse jo të gjithë, shumica e ushtarëve të UÇK-së së vendlindjes së Ahmet Krasniqit, me në krye komandantin e atëhershëm, Hashim Krasniqin, do t’i shkojmë për t’i bërë homazhe aty ku është i varrosur, te varrezat e Sharrës, në Tiranë.
Çfarë kontributi real ka pasur z. Ahmet Krasniqi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?
Krasniqi: Atëherë nuk e kam ditur, sepse nuk kam pasur kohë të hulumtoj, pasi edhe vetë kam qenë ushtar i UÇK-së, por më vonë nga shkrime dhe dëshmi të ndryshme kam mësuar se kontributi i tij ishte i madh. Ahmet Krasniqi e ka furnizuar UÇK-në me armatime, me para për nevoja të luftës dhe me shumë ushtarë.
Në kohën që u vra Ahmet Krasniqi në Tiranë u përfol edhe varianti që ekzekutimi kishte shkak tregtimin e paligjshëm të armëve me të cilën ai merrej?
Nuk është e vërtetë, ajo është dezinformatë e propagandë e njerëzve dhe politikave pro serbe.
Në lundrimet tona përmes informacionit kemi lexuar se disa e quanin z.Ahmet tradhtar, pse e gjithë ajo luftë kundër tij?
Krasniqi: I kam lexuar edhe unë dhe të gjithë anëtarët e familjes. Këto akuza na kanë goditur shumë, po aq sa edhe vrasja e tij. Të gjithë atyre zë korbave, që me shpalljen e Ahmet Krasniqit tradhtar mundohen ta arsyetojnë vrasjen e tij, le t’u mbetet për turp një cilësim i tillë. Atyre Ahmeti ende po u shërben si kurban, për luftën politike, siç u ka shërbyer titistëve familja e Aziz Zhilivodës. Si ka mundur të ishte tradhtar Ahmet Krasniqi, i biri i Hajriz Krasniqit, të cilin titistët ia kishin mbytur babën duke e rrahur me dru? Si mund të jetë tradhtar Ahmet Krasniqi, nipi i Aziz Zhilivodës, i cili me luftën e tij u kishte shkaktuar titistëve probleme për një Shqipëri etnike. Si ka mundur të ishte tradhtar Ahmet Krasniqi, kur i vëllai, me rastin e demonstratave të famshme të vitit 1981, u burgos dhe u dënua me burg nga UDB-të e devotshëm titistë? Dhe në fund, si mund të ishte tradhtar Ahmet Krasniqi, pjesëtari i Lëvizjes Kombëtare të patriotit Metush Krasniqi, ku bënin pjesë edhe Sabri Maxhuni (Novosela), Jusuf Gërvalla, Shefqet Jashari-Strofci, etj.
Krasniqi ka qenë kolonel i APJ, mos ka ndikuar kjo në përcaktim?
Krasniqi: Të gjithë oficerët e UÇK-së kanë qenë oficerë karriere të APJ-së, madje edhe dy komandantët e saj; Bislim Zurapi e Agim Çeku. Nëse të qënurit oficer i APJ-së ka qenë referenca për tradhtar, atëherë qenka dashur të pushkatohen edhe këta që i përmenda dhe të gjithë tjerët. Haptas, deri sot, asnjë institucion as i Kosovës, as i Shqipërisë nuk e ka cilësuar Ahmet Krasniqin tradhtar. Nuk kam lexuar asnjë herë që me ndonjë komunikatë, as Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ta ketë shpallur Ahmet Krasniqin tradhtar. Përkundrazi, ish-kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka shpallur hero të Kosovës. Pas këtij akti, në shtyp u paraqitën dy zë korba që krrokatën kundër Ahmetit. Njëri nuk po ndalet ende, e ai është Ibrahim Kelmendi. Vitin e kaluar, pasi Milaim Zeka, në faqen e internetit “Presheva Jonë” thotë se të gjithë krerët e atëhershëm dhe të tashëm të Shqipërisë i dinë emrat e atyre që e vranë Ahmet Krasniqin, jep edhe një informacion tjetër kur thotë: “Në fund të fundit kemi edhe informacione e dëshmi të tjera rreth kësaj vrasjeje, ku autori Ibrahim Kelmendi në librin e tij të fundit shpjegon, duke thënë se “unë kam intervistuar ushtarin i cili ka ekzekutuar Ahmet Krasniqin…”. Kur në FB në faqen e Ahmet Krasniqit, Iliriani, nipi i Aziz Zhilivodës, në cilësinë e administratorit të faqes, e postoi këtë informacion, papritmas u kyçën të dy edhe Milaim Zeka edhe Ibrahim Kelmendi, pas sharjesh e fyerjesh reciproke, Ibrahim Kelmendi vazhdoi me fyerje duke thënë, se “i vinte keq që nuk e ka pasur atë privilegj të vriste vetë Ahmet Krasniqin dhe sikur ta dinte vrasësin, si atëherë edhe sot, do t’ia bënte tapi tokën e babës”. Në këtë reagim të Ibrahim Kelmendit reagoi një nofkë, që e shënoi emrin dhe mbiemrin e vrasësit të mundshëm, i cili, sipas një artikulli që ekziston në faqen e Ylli Polovinës, ky atentator qenka vrarë pas shpine nga të vetët! Ja se si e përshkruan Ylli Polovina atentatorin e mundshëm: “Ky ishte nga një qytet me emër të mirë nga Kosova. Deri atëherë njihej si njeri i mirë, por që më pas iu dha shumë pijes. Shumë muaj më pas nga mesnata e 21 shtatorit 1998 do të vritej. Gjendej në një betejë me milicinë e ushtrinë serbe, por plumbin e mori në shpinë”.
Cili është ushtari i dytë, i gjallë?
Krasniqi: Ne familja e Ahmetit nuk e dimë. Ndoshta e di Ibrahim Kelmendi, pasi sipas Milaim Zekës, ai e paska bërë edhe një intervistë me atë ushtar dhe figuruaka në një nga librat e tij.
T’u kthehemi pak viteve në kohë. Në vitin 1991, z.Krasniqi dezertoi nga APJ dhe iu bashkua Gardës Kombëtare Kroate. A është e vërtetë që komandanti furnizoi me armë kroatët për të mbrojtur çështjen e tyre për çlirim?
Krasniqi: Nga ajo intervistë, edhe ne familjarët e Ahmetit kemi mësuar shumë gjëra, – nëse e keni fjalën për intervistën që e ka përkthyer nga kroatishtja Sefedin Krasniqi… Pra në vitin 1991, siç dihet tashmë botërisht, ai kishte dezertuar, në fakt ishte burgosur në Rjekë të Kroacisë dhe ishte dërguar në burg në Beograd. Kur serbët e kishin dërguar në front në Kroaci, ai kishte dezertuar dhe ishte kthyer në Kosovë, pastaj ilegalisht në Shqipëri te axha i vet, apo gjyshi im, Aziz Zhilivoda në Elbasan. Derisa Gardës Kroate i kishte bërë shumë shërbime, nuk iu kishte bashkuar kurrë, sepse siç thashë, APJ e kishte burgosur; pikërisht gjenerali Çad, me kombësi sllovene, që kishte luftuar për ruajtjen e Jugosllavisë. Të gjithë e dinë se Ahmet Krasniqi ishte kundër kyçjes së ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë në Gardën Kroate gjatë luftës. Me këdo që më ka rastisur të bisedoj, ai i kishte këshilluar ushtarët shqiptarë të dezertonin dhe të ruheshin për çlirimin e Kosovës.
A njihet në Kroaci ky nder le ta quajmë, që një shqiptar u bëri kroatëve?
Krasniqi: Sa di unë, ky nder nuk i njihet nga institucionet kroate, por nga komandantët e Gardës Kroate, me të cilët kishte bashkëpunuar dhe të cilëve u kishte ndihmuar. Në Gospiç dhe Likë, Ahmeti është shumë i respektuar. Këtu vlen të përmendet Dr. Drazhen Jerkoviq, i cili ishte tronditur kur kishte dëgjuar për vrasjen e tij në Tiranë. Kjo intervistë gjendet në shumë faqe interneti.
Në një intervistë të atyre viteve që kemi lexuar nga i ndjeri, ai shkruante se gjenerali që e arrestoi dhe burgosi, jetonte i lumtur në Rjekë, ndërsa z.Ahmet Krasniqi, për-veçse ia morën shtëpinë në Gospiç me gjithë çka kishte, i morën dhe atë në Rjekë?
Krasniqi: Po, Ahmet Krasniqi, po edhe ne, si familje e Aziz Zhilivodës për të gjithë pushtetarët në ish-Jugosllavi, padyshim që kemi qenë kurban për qërimin e hesapeve në mes pushtetarëve. Besa edhe në Shqipëri, gjyshi im, ndjesë pastë, që para pak ditësh mbushi 19 vjet që u shua, nuk kaloi më mirë edhe me enveristët. Pasi babi im i ndjerë, Fak Krasniqi, e siguroi “Dosjen e Aziz Zhilivodës” dhe gjykimin e tij në Shqipëri, jam tronditur kur e kam lexuar se nëpër të njëjtën rrugë monstruoze kemi kaluar edhe ne pjesëtarët e tjerë në Kosovë. Më besoni, ne fëmijët e familjes së Aziz Zhilivodës, kurrë nuk kemi guxuar të dalim e të luajmë me moshatarët tanë, sepse prindërit tanë kishin frikë se mos kalonte ndonjë patrullë e milicisë së asaj kohe dhe na pyeste apo provokonte diçka… Ndërsa gjenerali Çad ishte slloven, nuk mund të bëhej kurban aq lehtë sikur Ahmet Krasniqi dhe shumë oficerë e ushtarë shqiptarë nëpër ish-republikat jugosllave që ktheheshin në arkivole qysh nga viti 1981.
Mund të na flisni pak për vitet e emigrimit në Austri, me çfarë u mor atje?
Krasniqi: Ahmet Krasniqi nuk ka emigruar kurrë në Austri, atje ishte transit për Gjermani, pasi e kishte këshilluar Aziz Zhilivoda të shkonte atje dhe nga atje t’i fillonte përgatitjet për luftën çlirimtare të Kosovës. Pasi i kishte dështuar kalimi në Gjermani, kthehet në Kroaci dhe zhytet në varfëri e mjerim të thellë.
Vite të vështira pasuan jetën e ish-ministrit derisa ai u detyrua të shiste perime në Rovinj; a bisedonte me ju në atë kohë, si ndihej…?
Krasniqi: Unë në atë kohë kam qenë i ri, por nga shkrimet dhe shumë dëshmi kam mësuar që, nga viti 1994, Sefedin Krasniqi kishte ia kishte arritur të bënte një kontakt, dhe atë, me porosinë e babit tim, Faik Krasniqit dhe kushëririt, Shefqet Krasniqit. Ndërsa në vitin 1996, Ahmet Krasniqi, nga Gjermania, pasi e viziton të vëllain, Behxhetin, shkon në Zvicër te Sefedin Krasniqi, i cili e vë në kontakt me njeriun që Ahmetin e kishte anëtarësuar në Lëvizjen e Metush Krasniqit, pra Shefqet Jashari Strafci. Para se të kthehej për Kroaci, kontakton me ministrin e Informatave të Qeverisë “Bukoshi”, Xhafer Shatrin, i shoqëruar nga Hilmi Nebihi.
Sa i lidhur ishte komandanti me Kosovën dhe cilat ishin përpjekjet e tij për të kontribuar në çlirimin e Kosovës?
Krasniqi: Komandanti ishte i lidhur me Kosovën gjithë jetën. Tani vonë kemi mësuar se kur dezertoi nga APJ dhe erdhi në Prishtinë, atë e kishte pritur në takim Dr. Fehmi Agani, pikërisht për organizimin e luftës në Kosovë. Ahmet Krasniqi, kurrë nuk e kishte harruar Kosovën, sepse në APJ e kishte udhëzuar të regjistrohej babai im, Faik Krasniqi dhe patrioti i madh, Metush Krasniqi. Jam i bindur se për atë periudhë, nga të gjallët, askush nuk di më mirë të flasë për Ahmet Krasniqin sesa Sabri Maxhuni- Novosella dhe Shefqet Jashari – Strofci.
Krasniqi u emërua ministër i Mbrojtjes së Kosovës në qeverinë e Bukoshit; si i erdhi ky emërim?
Krasniqi: Këtë pyetje duhet ta dijë Qeveria “Bukoshi” dhe vetë Bukoshi. Megjithatë, të gjithë kolegët e tij janë shprehur se Ahmet Krasniqi ishte ushtaraku më i zotë nga të gjithë ushtarakët shqiptarë që ishin shkolluar dhe kishin shërbyer në ish-APJ.
Si përfundoi në Tiranë Ahmet Krasniqi?
Krasniqi: Në Tiranë kishte shkuar nga Zvicra për të organizuar ushtrinë e Kosovës dhe formoi Ministrinë e Mbrojtjes. Të gjitha brigadat që i përgatiti për luftë, dhanë betimin në Tropojë. Ka pasur një marrëveshje që njihet si Marrëveshja e Oslos, mes Ministrisë së Mbrojtjes, Adem Demaçit dhe Xhavit Halilit, për organizim të përbashkët të luftës. Aty u vendos nga Bukoshi që Krasniqi ta drejtonte luftën nga Tirana, për të bërë organizimin e luftës në bazë të Marrëveshjes së Oslos, ku prej andej bëri organizimin e ministrisë dhe tre brigadave, 134, 131 dhe 138. Pas disa muajsh ndryshuan situatat; edhe pse ai vetë personalisht i ka dhënë ndihma Shtabit të Përgjithshëm, filluan gjërat të përkeqësohen për të, aq shumë, sa erdhi deri ekzekutimi i tij. Ahmeti pati edhe përplasje me Bukoshin, i cili ndërpreu furnizimin e ushtrisë me mjete, duke i thënë atij: “Nëse nuk mi plotëson kushtet për luftë ku mos të ngelë më këmbë shkjau në Kosovë, unë s’do marr pjesë.” Si çdo luftë e bërë në trojet shqiptare, edhe këtu pati përplasje mes forcave, ku Ahmet Krasniqi ishte vetëm viktimë.
Pra ju po thoni që ka pasur përplasje mes Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Bujar Bukoshit atëherë kryeministër?
Krasniqi: Po, ka pasur përplasje mes tyre, por këtu është ajo kutia e Pandorës, që me t’u hapur ajo, shumë sene do dalin në shesh.