Deputeti i LDK-së, Fetah Rudi ka treguar se si ishte takuar me personin që ishte përfshirë në atentatin ndaj tij pas luftës.
“Pas shërimit në Itali, unë jam kthyer në Kosovë dhe jam interesuar se nga kush ka ardhur sulmi ndaj meje. E kam pasur të vështirë, por unë jam interesuar. Pas disa kohësh, unë jam takuar në Malishevë me Agim Zogajn, i cili më ka folur vetë dhe më ka thënë a ka mundësi të flas me ty. Agim Zogaj ka qenë ‘dëshmitari X’, i cili tash nuk jeton më dhe më tha se ka qenë i përfshirë në atentatin për të më vrarë mua”, ka thënë Rudi, në Kanal10.
Ai ka thënë se Zogaj i kishte thënë që urdhërdhënës për vrasjen e Fetah Rudit, ka qenë Fatmir Limaj.
“Agim Zogaj më ka thënë që urdhrin ma ka dhënë Fatmir Limaj, por nuk të kam vrarë, pasi që e kam ditur çfarë ke bërë për UÇK-në. Ai më ka thënë se pasi që nuk e ka kryer punën, e ka rrezikuar jetën e tij, pasi që edhe atë kanë dashur ta vrasin”, ka thënë Rudi.
Më tej ai tha se Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka thënë se arma që e ka vra Xhemail Mustafën, e ka plagosur edhe Fetah Rudin.
“Aleksandër Lumezi ka thënë se arma e njëjtë e ka vra Xhemail Mustafën dhe e ka plagos Fetah Rudin”, ka thënë Rudi.
© SYRI.net