Kush po i fryn vrasjeve politike në Maqedoni?!

Emad Mehmeti

Prej se është në Qeveri kryeministri Zoran Zaev me LSDM-në, në dukje situata politike paraqitet e qetë, edhe pse vetë formimi i Qeverisë u bë me shumë tensione. Ndonëse shpesh dukja të gënjen, ndonjëherë mund të jetë edhe e vërtetë. Por, në rastin tonë, bëhet fjalë për pamje krejtësisht të rrejshme që shfaq politika karshi opinionit. Pra, përderisa situatën politiko – ekonomike mundohen të na shesin si të qetë, në prapaskenë ajo “vlon”. Sepse, në raste të caktuara disa pushtetarë, bëhen streh e mbrojtës më të mirë të kriminalitetit e korrupsionit.

Mbrëmë ndodhi një incidenti i armatosur afër selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël. Për fat të keq nga ky incident, njëri prej tyre ndërroi jetë, e dy të tjerë mbetën të plagosur. Një mësim që mund të nxjerrim nga ky pësim tragjik, është se asnjëherë nuk duhet njeriu të kacafytet për politikë me njerëzit, sepse a e keni parë një gjë tejet absurde: nëse gjatë vitit 2006 – 2008, aktivistët e BDI-së dhe PDSH-së ishin të gatshëm të “vrasin” njëri – tjetrin për liderët e tyre, po këta liderë pa pikë morali politik, menjeherë pas “Tradhtisë së Madhe në Kumanovë” u shfaqën të buzëqeshur e në qejf pranë njëri – tjetrit duke tymosur duhan. E kjo do të thotë, që të qëndrojmë sa më larg problemeve të cilat mund t’i sjell politika poshtë strukturave, sepse ato të “mëdhenjtë” ndonjëherë aktrojnë se zihen – që më pas sërish të pajtohen për “çështje madhore”, por ju (pra ne populli) mund të pësoni shum keq, duke vazhduar me grindjet politike.

Mirëpo, incidenti i ndodhur në Tetovë nuk është i pari që ndërlidhet drejtpërësëdrejti me BDI-në, ani pse kjo parti nxiton të distancohet nga rastet e këtilla. Në vitin 2015 u përgjak gara për kryetar të degës së BDI-së në Kumanovë, pasi pretendenti kryesor për kryetar dege Xhemail Rexhepi – “Komandat Shqiponja” u vra.

“Strukturat e vjetra, vetëm ikin qosheve, i bëjnë listat, marrin emrat e njerëzve që duhet punësuar, ata emra nuk shkojnë dhe punësohet emra të tjerë. Nuk e di cila është arsyeja e kësaj, qytetarët kërkojnë sqarim, ndërsa ne nuk dimë çfarë t’i themi. Komandant Shqiponja, për çështjen e Kumanovës, për asnjë çast dhe asnjë milimetër nuk ka kthim mbrapa. Këtë le ta din të gjithë”, kishte deklaruar Xhemail Rexhepi, disa ditë para vrasjes së tij.

Kumanova shquhet për burra të fjalës, por pyetja që lind është se kush po i fryen këtyre vrasjeve e problematikave brenda – partiake në partitë shqiptare? Kush i strehon e kush i mbështet kriminelët ordinerë e zhvatësit e shqiptarëve? Këtë përgjigje më së miri e dinë ata që janë pjesë e strukturave udhëhqëse tek partitë në pushtet, e sigurisht për incidentin e mbrëmshëm në Reçicë të Vogël, dilema të shumta mund të sqarohen përmes pamjeve të kamerave të sigurës, të cilat janë të vendosuara në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). E ku do mund të shihet njëherë e mirë: a ishte në seli ndonjëri nga të përfshirët në incident para se të vinte deri tek krismat, çka ka ndodhur paraprakisht brenda në seli nëse kanë qenë? Ngase, nuk dua të bëhem pjesë e spekulimeve të shumta – të cilat thonë se zënka kishte filluar brenda selisë së BDI-së në Reçicë, e më pas ishte zhvendosur jashtë. Kjo ju mbetet ta hetojnë e rrefëjnë prokuroria e policia.

Ndërkohë, vetëm një parti si BDI-ja që ka humbur tërësisht kontaktin me realitetin, pa sens dhe pa ndërgjegje – mund të nxitojë të del me një komunikatë për t’u distancuar nga incidenti i armatosur mbrëmë në Reçicë, pa thënë as edhe një fjalë keqardhje për rastin e ndodhur, për jetë të humbura, edhe po të mos ketë të bëjë fare me ta, fundja të përfshirët në incident ishin aktivistë të kësaj partie (këtë shumë lehtë mund ta dëshmoni përmes fotografive). Në fakt, ky nxitimi për distancim i BDI-së në sytë e opinionit e bënë edhe më të dyshimt rastin.

Megjithatë, njëherë e mirë ne shqiptarët e Maqedonisë duhet ta kuptojmë se duhet të qëndrojmë sa më pranë njëri – tjetrit, për t’i realizuar të mirat e përgjithshme shoqërore, por asnjëherë të vetme nuk duhet të përfshihemi në probleme për t’ua pastruar terrenin liderëve partiak. E, sidomos kur flasim për BDI-në, duhet ta kemi parasysh se kjo parti është e njohur për paraqitjen e saj me gojën plotë që do të na shpie drejt integrimeve euro – atlantike, dhe se do të luftojë krimin e korrupsionin, por ndërkohë thuhet se e realizon krejt të kundërtën e kësaj që flet. Mirëpo, udhëheqësia e BDI-së një gjë duket se e harron, koha e marksist – leninizmit ka përfunduar që moti, dhe se tashmë përballë ka një gjeneratë që gjithçka kupton e lexon qartë, ani pse dikush mendon se mund t’ua “hedh”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme