Ju ende nuk e dini se çka është kapja e shtetit!

Shkruan: Birol Urcan

Para disa muajve, në bisedë me një mik gazetar ndërkombëtar dhe më një mik kosovar, u hap llafi i Turqisë dhe e Lëvizjes Gylen. Ky llaf u nxeh kur unë provova që të shpjegoj se sa e rrezikshme është FETO, dhe se urrejtja ndaj kësaj organizate ndoshta është e vetmja pikë ku pajtohen pozitë e opozitë në Turqi.

Përshtypjet e mikut ndërkombëtar shihej qartë që ishin rezultat i lobimit të fuqishëm të Lëvizjes Gylen në vendet perëndimore. Ndërsa përshtypjet e mikut kosovar vinin nga ndikimi i disa mediave vendore të cilët Gylenin kanë tendencë ta portretizojnë vetëm si “rivalin kryesor të Erdoganit”, duke bërë të duket që Fethullah Gyleni është lideri kryesor opozitar dhe gëzon përkrahje popullore në Turqi.

Natyrisht, mediat jo vetëm që kanë të drejtë, por e kanë për detyrë të kritikojnë dhe raportojnë për çështjet që janë të ndërlidhura me qeverisjen, përfshirë edhe qasjen ndaj të drejtave të njeriut në Turqi. Por, kjo nuk duhet të mundësojë maskimin e aktiviteteve kriminale të FETO-s (Lëvizjes Gulen), e cila që gati 30 vite ka marrë në qafë qindra mijëra njerëz të ndershëm patriotë, duke kulmuar me vrasjen e qindra civilëve në tentim-puçin e vitit të kaluar. Dështimi në raportimin e kriminalitetit të FETO-s mund të jetë i qëllimshëm ose rrjedhojë e mungesës së informatës. Duke shpresuar se është kjo e dyta, do të mundohem të prezantoj një listë me 11 fakte lidhur me Lëvizjen Gylen, të cilën po besoj pas leximit të këtyre fakteve edhe ju do ta quani FETO.

1. Lëvizja Gylen, e cila udhëhiqet nga predikuesi islamik Fetullah Gylen, është përvetësuar dhe portretizohet nga mediat dhe politikanët perëndimorë si promotore e paqes dhe dialogut ndër-religjioz. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë. Ai në fakt iku nga Turqia në vitin 1999 si rezultat i procesit gjyqësor në të cilin akuzohej për tentim të rrënimit të rendit kushtetues dhe shtetit sekular. Por, në periudhën e pas 9/11 ai gjeti përkrahje në perëndim, ku shihej si antipodi i radikalizmit islamik që ishte në ngritje. Aplikimi i tij i parë për vizë amerikane si ”shtetas i huaj me veti të jashtëzakonshme në fushën e arsimit/edukimit” ishte refuzuar me arsyetimin se nuk ishte edukator, dhe sigurisht jo ekspert kyç apo i rëndësishëm në këtë fushë”. Tutje, raporti i zyrës për emigracion ofron dëshmi dërmuese se aplikuesi (Gylen) “është lider i një lëvizjeje me influencë të madhe politike dhe me fuqi të konsiderueshme financiare”. Por, përkundër refuzimit fillestar, Gulenit i është dhënë viza dhe karta e gjelbër amerikane. Kjo është realizuar me ndihmën e letrave referuese, ndër të tjera edhe nga ish ambasadori i SHBA-ve në Turqi, Morton Abramovitz, dhe ish zyrtarët e CIA-s, George Fidas dhe Graham Fuller.

2. Lëvizja Gylen ka dy shtresa

E para përbëhet nga pasuesit në masë, të cilët pak a shumë besojnë se ai është Mahdi, versioni islamik i Mesisë/Profetit. Shtresa e dytë përbëhet nga pasuesit e zgjedhur që kanë operuar si një rrjet i fshehtë, të infiltruar në aparatin e sigurisë dhe në gjyqësi, me qëllim të arritjes së qëllimeve të veta përmes metodave makiaveliste, kryesisht në Turqi. Këta pasues të infiltruar në shërbimin civil të shtetit, gjyqësor, polici dhe siç e kuptuam qartazi vitin e kaluar – edhe në Ushtri, janë më lojalë ndaj Gylenit se ndaj institucioneve për të cilat punojnë. Ata më parë marrin urdhra nga “vëllezërit” e Lëvizjes sesa të veprojnë në kuadër të hierarkisë ligjore që iu përcaktohet nga shteti.

3. Fethullah Gyleni beson në marrjen e fshehtë dhe nga brenda të pushtetit, dhe se ndryshimi duhet të vijë nga lart poshtë. Një ndër predikimet e mëhershme e tij, që është përfshirë edhe në aktakuzën e vitit 1999, e vërteton këtë pohim: “ Ju duhet që të depërtoni në arteriet e sistemit pa u vërejtur nga askush deri sa të arrini në qendrat e pushtetit… duhet të vazhdoni kështu derisa të piqen kushtet… kështu duhet të prisni, e kur të plotësohen kushtet, do ta marrim tërë botën dhe ta mbajmë në supet tona. Duhet të prisni për këtë ditë kur do të keni tërë fuqinë e aparatit shtetëror, derisa të keni tërë fuqinë e institucioneve kushtetuese në Turqi. Deri atëherë, çdo hap i ndërmarrë do të jetë i hershëm – sikur thyerja e vezës pa pritur 40 ditë që të ngjizet. Do të ishte sikur vrasja e zogut brenda”.

4. Lëvizja Gülen ka punuar dhe vazhdon të punojë me kompanitë më cilësore të marrëdhënieve të publikut në SHBA dhe ka ndërtuar një makinë lobimi në SHBA, Britani dhe vende të tjera. Këtë mund ta bëjë, sepse Lëvizja ka fuqi të konsiderueshme financiare. Sipas Qeverisë Amerikane, kapaciteti financiar i kësaj Lëvizjeje është në mes 25 dhe 50 miliardë dollarë, me shkolla dhe fondacione në më shumë se 150 shtete anembanë globit.

5. Infiltrimi i Lëvizjes Gylen në shtetin turk daton nga vitet 1980. Infiltrimi i dishepujve të tij në pjesë të ndryshme të shtetit është miratuar në mënyrë të heshtur nga administratat e Bülent Ecevit, Süleyman Demirel dhe Tansu Çiller, edhe pse ai gjithmonë është konsideruar si kërcënim nga establishmenti Kemalist dhe Ushtria, që e ka konsideruar veten si pararojë e shtetit sekular. Shihet qartë se ata të cilët kanë dyshuar në aktivitetet e Gulenit kanë pasur të drejtë.

6. Lëvizja Gülen ka jetuar vitet e saj të arta gjatë dekadës së parë të qeverisjes së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). AKP fillimisht i dha hapësirë grupit në formë të një aleance të heshtur me qëllim për të eliminuar fuqinë e ushtrisë në politikë. Kjo aleancë u bë e dukshme në vitin 2007, në ngjarjet që rezultuan pas një komunikate elektronike të ushtrisë që kundërshtonte presidencën e Abdullah Gül nga AKP-ja. 46 ditë pas kësaj komunikate u iniciua një rast gjyqësor i profilit të lartë i quajtur Ergenekon. Kjo aferë në vitin 2010 u pasua me një tjetër rast të quajtur Baljozi. Në të dyja këto raste, zyrtarë ushtarakë, deputetë të opozitës, gazetarë, aktivistë të drejtave të njeriut, shkrimtarë dhe të tjerë, u akuzuan për planifikim të grusht-shtetit me qëllim të rrëzimit të dhunshëm të qeverisë së AKP-së. Më vonë doli se këto raste ishin bazuar në dëshmi të fabrikuara dhe se shumica e këtyre trillimeve u orkestruan nga Gülenistët në polici dhe mjekësi ligjore (Osman Karakaya, i arrestuar në Kosovë, ishte gülenisti kyç për fabrikimin e provave në mjekësinë ligjore). Të gjithë të pandehurit u liruan nga akuzat në vitin 2015, por dëmi tani kishte ndodhur, pasi që të gjitha vendet e liruara nga ushtarakët e akuzuar i kishin zënë gülenistët e infiltruar në ushtri. Presidenti Recep Tayip Erdogan më vonë pranoi se ishte mashtruar nga ndjekësit e Gülenit të infiltruar në shtet. Tentim grusht-shteti i 15 korrikut tregoi se në të vërtetë ishin ndjekësit e Gylenit që kishin plane për grusht-shtet të dhunshëm.

7. Kryeredaktori i së përditshmes Hürriyet, Sedat Ergin, vitin e kaluar publikoi një artikull që pohonte se autorët e grushtit të shtetit ishin oficerët ushtarakë të cilët ishin ngritur në pozita falë aferës Baljozi, në kuadër të së cilës shumë oficerë me përvojë ishin shkarkuar nga detyra. Është e qartë se këto raste shërbyen për minimin e fuqisë së kemalistëve në forcat e armatosura dhe zëvendësimin e tyre me gülenistët.

8. Gazetarët që kishin shkruar për makinacionet e Gülenit në këto gjykime ishin cak i fushatave shpifëse, dhe kërcënimeve për arrestime. Ndërsa gazetarë si Barış Terkoğlu, Barış Pehlivan, Soner Yalçın, Nedim Şener dhe Ahmet Şık, u burgosën për shkak të raportimeve të tyre që treguan infiltrimin e Gülenit në shtet. Şık ka shkruar dhe botuar një libër mbi praninë e Gülenit në forcën e policisë, ndërsa Şener ka hetuar dhe ka gjetur lidhjet e dishepujve të Gylenit me vrasjen e gazetarit turko-armen Hrant Dink, në vitin 2007. Tani oficerë të lidhur me Gylenin janë duke u gjykuar për rastin e vrasjes së Dink.

9. Fethullah Gyleni, në një editorial të tij që vitin e kaluar është botuar në New York Times, i referohet qasjes agresive të AKP-së ndaj organizatës terroriste PKK dhe ndaj kurdëve. Megjithatë, përmbajtja dhe qasja e këtij editorial është mjaft hipokrite. Në Turqi ka pasur opinionistë dhe aktivistë të cilët e kanë kritikuar qasjen e AKP-së ndaj kësaj çështjeje. Por, Lëvizja Gylen ishte një nga forcat kryesore që punonin aktivisht për ta minuar procesin paqësor. Goditja e tyre e parë ishte arrestimi i rreth 8000 aktivistëve kurdë, kryetar të zgjedhur komunash, akademikë dhe gazetarë pas vitit 2009, që njihen si arrestimet e KCK-së (Kurdistan Communities Union). Politikani i njohur kurd, Hatip Dicle, qartazi kishte dokumentuar se “forca që filloi arrestimet e KCK ishin elementët e Lëvizjes Gülen në polici dhe gjyqësi… Pasi që kishim fituar shumë kryetarë bashkie nga zgjedhjet vendore 2009, ata dolën me idenë e këtyre operacioneve vetëm për të na terrorizuar neve“, kishte pohuar publikisht Dicle. Pohimi që Lëvizja Gylen ishte prapa aferës së arrestimeve të KCK nuk vjen vetëm nga kurdët, kjo është konfirmuar më vonë edhe nga qeveria e AKP-së. ”Është Lëvizja Gylen ajo që ka orkestruar arrestimet në kuadër të aferës KCK”, kishte pohuar nënsekretari i sigurisë publike, Muhamed Dervisholli.

Goditja dytë ishte publikimi i bisedave sekrete nga Bisedimet e Oslos, ku shefi i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës (MİT), Hakan Fidan, ishte duke negociuar me organizatën e jashtëligjshme dhe terroriste Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Vetëm gülenistët brenda aparatit të sigurisë kishin mjetet për të pasur qasje në materiale të tilla konfidenciale dhe ishin mediat e Lëvizjes Gylen ato që e promovuan publikimin e këtyre të dhënave më së shumti.

Goditja e tretë ishte një përpjekje për të arrestuar Fidan-in dhe ish-drejtorët e organizatës më 7 shkurt 2012, për shkak të atyre negociatave. Kjo përpjekje u mbështet gjithashtu nga gylenistët e njohur brenda gjyqësorit.

10. Akuzat se përpjekja e grushtit të shtetit u udhëhoq nga gjeneralët gylenistë nuk bazohen në arsyen e thjeshtë të pohimit. Ato bazohen në prova të forta që fatkeqësisht ishin injoruar prej vitesh. Ahmet Zeki Üçok, një prokuror ushtarak, kishte kryer një hetim gjithëpërfshirës ndaj gylenistëve në forcat e armatosura në vitin 2009. Ai kishte zbuluar një rrjet të madh sekret brenda ushtrisë dhe kishte identifikuar shumë anëtarë të kësaj organizate të paligjshme me emra dhe mbiemra. Megjithatë, ai nuk mund ta përfundonte hetimin e tij pasi u arrestua në kuadër të aferës Baljozi me arsyetimin se kishte torturuar disa dëshmitarë duke i “hipnotizuar” ata. Kaloi gati pesë vjet burg. Në një intervistë të tij pas daljes nga burgu në vitin 2016, ai kishte deklaruar se i njihte gylenistët në ushtri emër për emër. Në një deklarim pas tentimit të grusht-shtetit, lista e tij përputhej në përpikëri me emrat që kishin udhëhequr tentim gusht-shtetin. Duke iu referuar F-16 që bombardoi Parlamentin turk, ai kujtoi fjalët nga arkivat gjyqësore të kolonelit Selçuk Başyiğit, tani në pension: “Tani jemi shumë të fortë. Ne kemi F-16, F-4 që do të jenë aktivë me një urdhër të vetëm të Fethullah Gülenit”. Gjetjet e Üçok u vërtetuan nga shumë ushtarë që luftuan kundër përpjekjes së grushtit të shtetit, ose nga ushtarë të tjerë që ishin viktima të rastit Baljozi.

11. Përfundimisht, të gjitha partitë politike në parlament – AKP, Partia Popullore Republikane (CHP), Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) dhe Partia Demokratike e Popullit (HDP), janë në konsensus të paprecedentë se tentim-puçi i 15 korrikut u orkestrua nga ushtarët gylenistë. Po ashtu, edhe dëshmitë e autorëve të grushtit të shtetit e konfirmojnë këtë fakt.

Konkluzioni

Kryeministri Haradinaj dhe Presidenti Erdogan janë në pozitat e tyre si rezultat i proceseve demokratike, dhe nuk më takon mua t’i komentoj veprimet dhe deklarimet e tyre gjatë ngjarjeve të ditëve të fundit, pasi që do të jetë votuesi në Turqi dhe Kosovë që në zgjedhjet e ardhshme do të deklarohet për të dy këta politikanë. Atëherë do ta kuptojmë nëse kanë pasur të drejtë në veprimet dhe deklarimet e tyre apo jo.

Por, si patriot kosovar dhe si patriot turk kam për detyrë dhe obligim që ta luftoj Lëvizjen Gylen në të dy shtetet të cilave u takoj, ose t’i përkrah institucionet e vendit në luftën kundër kësaj organizate. Kjo pasi që kjo organizatë nuk mëton që të vijë në pushtet përmes proceseve demokratike, por përmes infiltrimit në institucione dhe marrje të shtetit nga brenda.

Muajt dhe vitet e fundit janë karakterizuar nga akuzat e opozitës në Kosovë drejtuar pushtetit lidhur me kapjen e shtetit, kryesisht duke vendosur persona lojalë/klientelistë në pozita kyçe.

Lëvizja Gülen në Turqi e ka filluar këtë proces që në vitet ‘70 dhe në dekadën e fundit ka arritur një përkryeshmëri në këtë aspekt. Përkryeshmëri, të cilën këta tanët as në ëndërr nuk mund ta imagjinojnë.

Prandaj, nga perspektiva dhe përvoja e Turqisë lirisht mund t’iu them: “Ju hala nuk e dini çka është kapja!”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme