EMISIONI VETTING
Në Shqipëri nuk ekzistojnë institucione mjekësore të veçanta për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer krime.
Burgu famëkeq i Zaharisë u mbyll në vitin 2021 dhe këta te dënuar janë shpërndarë mes burgut të Shën Kollit në Lezhë dhe atij të Drenovës në Korçë, por situata e tyre nuk ka ndryshuar duke mbetur të ngujuar.
I ngujuar prej më shumë se 20 vitesh ka mbetur edhe vëllai i një dëshmitari i cili tregon kushtet e këqija që këta pacientë përballen çdo ditë paligjshmërisht.
Për “Vetting” familjari i këtij pacienti shprehet se: “Në burgun e Zaharisë, përsa i përket ambientit, kushtet kanë qenë çnjerëzorë, kanë qenë 3 banjo me 300 të sëmurë. Ata i kanë shkatërruar, i kanë torturuar të sëmurët!”.
Në të njëjtën mënyrë është shprehur edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i cili ka trajtuar çështjen e këtyre të dënuar qe trajtohen si pacientëve të cilët nuk mbahen në institucione të posaçme mjekësore por në burgje.
“Burgu i Zaharisë është mbyllur pikërisht për shkak të kushteve çnjerëzore që kishte.”- u shpreh Komisionari për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.
Në vitet 2000 në media qarkulloi lajmi se një djalë plagosi me armë të ftohtë familjarin e tij, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë mendore. Pasi kreu aktin, ai u dërgua menjëherë në institucionin shëndetësor të burgjeve në Tiranë, te “Nënë Tereza” për të kryer dënimin.
Njëzet e pesë vite pas ngjarjes, “Vetting” ka kontaktuar familjarët e këtij personi, të cilët edhe sot po merren me çështjen gjyqësore të vëllait, pasi është trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga institucionet shtetërore.
“Kam një vëlla që vuan nga shëndeti mendor, u godit dhe pësoi dëmtim të rëndë nga ana mendore nga goditja gjatë punës dhe aty u përcaktua invalid pune.”- thotë familjari teksa shton që pasi u bë seanca gjyqësorë u vendos për ta çuar në një spital psikiatrik mjekësor, por prokuroria nuk e zbatoi këtë vendim duke e çuar në spitalin e burgut në Tiranë, Nënë Tereza.
Për “Vetting”, familjari i pacientit tregon se Prokuroria nuk gjeti një zgjidhje për rastin, duke marrë një vendim që do t’i përkeqësonte shëndetin.
Sipas dëshmisë së familjarit, i cili prej 25 vitesh endet dyerve të spitaleve dhe burgjeve, duket se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Drejtësisë nuk e kanë kryer me përgjegjshmëri detyrën.
Mjeku Shkëlqim Ahmetaj shprehet: “Duke qenë se ne i kemi deinstitucionalizuar institucionet shtetërore psikiatrike, ai që vuan masën e dënimit është i detyruar ta vuajë në institucionet me burgim.”
Gjykata e Rrethit Gjyqësor ku i pandehuri jetonte, me anë të një vendimi të formës së prerë vendosi “Shtrimin e të pandehurit për mjekim të detyrueshëm në spitalin psikiatrik në Tiranë, duke marrë masa për ruajtjen e tij”.
Ky vendim u vu në zbatim në vitin 2001 dhe deri në vitin 2009, personi është trajtuar në Institucionin e Veçantë Shëndetësor të Burgjeve (Spitali i burgut), Tiranë. Më pas është transferuar për të zbatuar masën mjekësore në burgun e Krujës, Institutin e Ekzekutimit të Vendimit Penal në Zahari.
“Nga viti 2000-2009 ishte pa mjekime të rregullta, pa medikamente të rregullta, pa kushte të mira. Si përfundim të sëmurët që ishin të pa mjekuar e goditën. Duke i dëmtuar syrin me grusht, me cigare në sy. Vëllai do ishte kuruar që në atë moment që u godit, që i’u dogj syri, do ishte mirë.”- tha familjari I zhgënjyer nga institucionet.
Kjo familje, e cila prej më shumë se dy dekadash pret në stolat e oborrit të spitaleve dhe burgjeve për t’a transferuar familjarin në një institucion të posaçëm rehabilitues, i është drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi duke pretenduar që familjari i tyre është diskriminuar për shkak të përkatësisë në një grup të veçantë.
“Ne kemi pasur trajtim çështjesh të cilat kryesisht lidhen me personat që kanë kryer vepër penale dhe që janë certifikuar që janë të “papërgjegjshëm” për veprën që kanë bërë por padrejtësisht mbahen nëpër burgje.”- u shpreh Komisioneri Gajda.
Pas shqyrtimit të rastit, Komisioneri konstatoi diskriminim të drejtpërdrejtë për shkak të “përkatësisë në një grup të veçantë” dhe të “aftësisë së kufizuar” nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe vendosi që kjo e fundit, bashkë më Ministrinë e Drejtësisë të marrin të gjitha masat e nevojshme për përshtatjen e ambienteve të IVSH Tiranë dhe dy godinave 4 dhe 5 në IEVP Lezhë për akomodimin e shtetasve me vendim gjykate me masë mjekësore “Shtrim i detyruar në një institucion psikiatrik”, si një institucion i posaçëm mjekësor.
Më 30 prill 2024 me urdhër të Kryeministrit, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lezhë ka pësuar ndryshime në strukturë duke u bërë Institucion Mjekësor i Posaçëm IEVP Lezhë.
Avokatja Ada Demiraj konstatoi mungesën e një institucioni mjekësor të posaçëm: “Aktualisht ne kemi ligje të mira por nuk kemi një institucion, i cili ti vijë vërtetë në ndihmë këtyre rasteve. Dhe familjarët shqiptarë gjenden sot në problematika të shumta, gjenden pa zgjidhje të situatave shpeshherë dhe gjithashtu në pamundësi për të kërkuar përmbushjen e të drejtave që kanë për familjarët e tyre.”
Sipas raporteve nga Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës, institucionet shqiptare në mënyrë të vazhdueshme që prej vitit 2000 e në vazhdim, në kundërshtim me ligjin i kanë mbajtur pacientët me probleme të shëndetit mendor në Qendrën Spitalore të Burgut dhe Burgun e Krujës nën kushte që konsiderohen çnjerëzore dhe poshtëruese.
Ankuesit dhe pacientëve të tjerë të akomoduar në sistemin e IMP Lezhë, pavarësisht përmirësimit të kushteve dhe kthimit të tij në një institucion mjekësor të posaçëm, nuk u ofrohet i njëjti shërbim mjekësor si atyre në spitalet psikiatrike. Për më tepër u kufizohen liritë dhe të drejtat e sanksionuara në Kushtetutë, përtej masës që përkon me vendim gjyqësor të formës së prerë./ Vjolanda Peca