E hënë, 07 Nentor 2016 – Sakte.net /
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë sot një vendim lidhur me ankesën e ish blerësit të Minierës së Goleshit
Me këtë vendim Kushtetuesja ka hedhur poshtë ankesën, edhe pse blerësi pretendon se gjatë procesit së tërheqjes së aksioneve nga ana e Bordit të AKP-së, i janë bërë një varg shkeljesh.
Në janar të këtij viti ish blerësi i MIM Goleshit, Hysni Zogaj, kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, kthimin e aksioneve të MIM Goleshit, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Ish blerësi kishte pretenduar se gjatë procesit së tërheqjes së aksioneve nga ana e Bordit të AKP-së, i janë bërë një varg shkeljesh.
Blerësi ka paraqitur faktet edhe tek Kushtetuesja se Bordi i AKP-së, në shtator të vitit 2014, disa muaj para se t’i skadojë afati i përmbushjes së zotimeve ka marrë vendim që kjo minierë e privatizuar me metodën e spin –off special të kthehet nën menaxhim të AKP-së.
Blerësi, Hysni Zogaj, po ashtu në vazhdimësi e ka kundërshtuar vendimin e bordit të AKP-së, pasi sipas tij vlera e investimeve është tejkaluar. Blerësi po ashtu i ka prezantuar faktet Gjykatës Kushtetuese se vendimi i Bordit të AKP-së është marrë në ditën e diele, në ditën e fundit të mandatit të ish anëtarëve të bordit të KP-së.
Por vendimi i Bordit të AKP-së për tërheqje të aksioneve është vlerësuar i drejtë edhe nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila kishte refuzuar ankesën e ish blerësit.
Zogaj e ka akuzuar AKP-në se e ka furnizuar edhe Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme me informata të gabuara. Ku sipas tij, për këtë ka edhe fakte.
“Në raportin e vitit 2013, AKP i ka raportuar në Kuvend të dhënat se në Minierën e Goleshit janë investuar mbi 13 milionë euro, ndërsa në vitin 2014 raportuan se janë investuar 300 mijë euro”, kishte thënë Zogaj.
Por sipas tij, kjo nuk është e tëra, pasi të dhënave që AKP-ja i ka dhënë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për numrin e të punësuarve thuhet se blerësi i ka punësuar 1 mijë e 800 punëtorë, e që sipas kontratës është dashur të punësoj 14 mijë e 400 punëtorë. Ku sipas deklarimeve të Zogajt, asnjë nga këto të dhëna nuk janë të sakta, pasi sipas tij në bazë të kontratës duhet të punësohen 355 punëtorë, vlera e investimeve, sipas Zogajt, nga 16 milionë sa ka qenë e paraparë me kontratë, ai ka investuar mbi 22 milionë euro.