Kushtetuta u shkel shumë herë, duhet të ndryshohet

Në shënimin e 9-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, njohës të çështjeve kushtetuese thonë se Kushtetuta duhet të pësojë ndryshime, pasi që ka mangësi, kufizime dhe se në këto vite prej se ka hyrë në fuqi, është shkelur shpesh herë nga institucione dhe individë. Në disa raste ajo ka qenë edhe pengesë.

Njohësi i Kushtetutës, njëherësh dhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress se gjatë këtyre nëntë viteve Kushtetuta e Kosovës  megjithëse  është dëshmuar si e qëndrueshme për kohën, si ndihmëtare e proceseve politike e ekonomike, nuk i ka përballuar me sukses të plotë kohës dhe ka prodhuar vendime të diskutueshme, gjë që ka nevojë të ndryshohet apo rishkruhet.

“Kjo Kushtetutë si e tillë nuk i ka përballuar me sukses të plotë kohës, është shkelur nga individë të caktuar, nga segmente institucionale, nga qytetarë të caktuar shumë herë, për të mos thënë vazhdimisht. Ka prodhuar një Gjykatë Kushtetuese dhe një përvojë kushtetuese, e cila në fakt ka qenë e ndikuar hera herës politikisht nga segmente të caktuara, grupe formale politike, jo politike. Ka prodhuar vendime të diskutueshme, të cilat jo gjithë herë janë pranuar hapakrahë nga qytetarët, përkundrazi janë refuzuar, janë kontestuar. Nevoja për ta ndryshuar dhe plotësuar këtë Kushtetutë për ta rishikuar mbase dhe për ta rishkruar edhe më mirë, do të ishte imperativ për secilin segment institucional për arsye se në vend se të ndihmoj. Kjo Kushtetutë është paraqitur dhe ka dëshmuar se në fakt, hera-herës është paraqitur si barrierë ose si pengesë e problemeve dhe zgjidhjeve të problemeve”, tha ai.

Baraliu thotë se Kushtetuta është një lloj i librit të shenjë  dhe do të duhej të respektohej më shumë nga të gjithë. Megjithatë thekson se sa më parë ajo duhet rishkruhet, në mënyrë që ta kemi një Kushtetutë të mirëfilltë.

Edhe profesori Riza Smaka, i cili ishte dhe anëtar i komisionit për hartimin e  Kshtetutës, shpreh keqardhje që kjo Kushtetutë për nëntë vite u shkel shumë herë.

“Më vjen keq të them sepse nuk e dëshiroj, ama ka pasur shkelje, pikërisht nga institucionet më të thirrura për përfilljen e Kushtetutës nga kryetari i Kuvendit, kryeministri, Gjykata Kushtetuese. Ka pasur shkelje të identifikuara, shkelje ka pasur, më vjen keq që ka pasur shkelje, nuk ishte dashur të kishte shkelje. Unë kam pas nderin dhe kënaqësinë që isha një nga anëtarët e komisionit për hartimin edhe të kësaj Kushtetute, kam qenë edhe të disa kushtetutave tjera. Me vullnet të madh kam pas punuar dhe kam llogaritur se do të përfillet, sepse kur përfillet Kushtetuta përmes akteve ligjore, ai shtet është shtet i përparuar, progresiv, me perspektivë. Ai është shtet i së drejtës, sepse shtet juridik është secili shtet. Ne jemi shtet juridik por s’jemi shtet i së drejtës”, tha ai.

Smaka thotë se patjetër që duhet të bëhet modifikimi i kësaj Kushtetute dhe se më shumë se 20 dispozita të saj, duhet të rishkruhen dhe të riformulohen. Madje, ia sheh pbr të madhe Qeverisë që nuk e ka vë në agjendë rishikimin e saj.

Shkeljet kushtetuese i ka komentuar edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës, Hajredin Kuçi.

“Unë mendoj së janë dy shifra të shkeljes së Kushtetutës, ato të cilat janë pozicionuar dhe do të jenë deponu në Gjykatën Kushtetuese dhe ato të cilat kanë mund të shkelen por nuk janë deponu. Pra, unë mendoj se kjo punë është teknike që Gjykata Kushtetuese bën”, tha ai.

Kuçi ka komentuar edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës, duke thënë se janë disa gjëra që nuk duhet ndryshuar asnjëherë.

“Janë gjana të cilat janë evolutive me jetën, me angazhimin por ajo çka duhet të them është se disa gjëra nuk do të pësojnë ndryshime asnjëherë. Që Kosova do të jetë shtet sovran dhe demokratik, që do të bazohet në demokraci, rend dhe ligj, në ndarje të pushteteve, në ekonomi të lirë të tregjeve, në të drejtat dhe liritë e njeriut. Besoj këto janë bazament i Kushtetutës dhe këto nuk ndryshojnë. Ndërsa pjesët tjera shumë a pak sipas marrëveshjeve politike ndryshojnë”, tha ai.

Nëntë vjet më parë, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, ndërsa ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene. /KP/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme