Kuvendi miratoi Ligjin e ri për Lojërat e Fatit, rregulla më të rrepta për kazinotë, klubet me automate dhe lojërat elektronike

Gazetar: Angell Dimovski

Kuvendi miratoi Ligjin e ri për Lojërat e Fatit, me të cilin vendosen rregulla më të rrepta për funksionimin e kazinove, klubeve me automate dhe lojërave elektronike. Qëllimi është mbrojtje më e madhe e të rinjve, kontroll më i mirë i industrisë dhe ulja e ekonomisë joformale. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është rregulli që kazinotë, klubet me automate dhe objektet me lojëra elektronike të jenë të vendosura të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.

Megjithatë, ligji nuk parashikon mbylljen automatike të pikave të basteve sportive që ndodhen pranë shkollave. Ato do të mund të vazhdojnë punën, por brenda një rreze prej 500 metra nuk do të lejohen të vendosin terminale të videolotarisë dhe pajisje të tjera elektronike për lojëra fati. Rregullat e reja vendosin edhe kufizime për reklamimin. Në fasada dhe vitrina nuk do të lejohen më reklama agresive me ndriçim, as mesazhe që e paraqesin lojën e fatit si mënyrë për fitim të shpejtë, sukses financiar ose zgjidhje të problemeve personale. Do të ndalohet edhe përdorimi i personazheve të njohur në reklama, si dhe çdo promovim i drejtuar ndaj fëmijëve dhe të miturve. Ligji parashikon edhe kontroll elektronik të automateve dhe terminaleve të videolotarisë.

Çdo aparat do të duhet të lidhet me sistemin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, gjë që do të mundësojë monitorimin në kohë reale të vendndodhjes dhe funksionimit të tij, me qëllim zbulimin më të lehtë të automateve ilegale dhe parandalimin e fshehjes së të ardhurave. Përveç kësaj, vendosen garanci bankare më të larta, kushte më të rrepta për licencim, tarifa më të larta për hapjen e objekteve të reja dhe mundësi më të gjera për heqjen e licencave. Një nga risitë më të rëndësishme është se tre për qind e të ardhurave nga lojërat e fatit do t’i ndahen Agjencisë së Filmit. Paratë do të jenë të dedikuara për zhvillimin dhe mbështetjen e kinematografisë.

Nga opozita pati reagime se, megjithëse me këtë ligj ndalohet reklamimi, ai është lejuar në fanellat e të rinjve që luajnë futboll, ndërsa u kritikua edhe fakti se distanca prej 500 metra është e pamjaftueshme. Ligji tani duhet të dekretohet nga presidentja, ndërsa Shoqata e të punësuarve në sektorin e lojërave të fatit “Dua të punoj” i bën thirrje presidentes Gordana Siljanovska-Davkova të mos e nënshkruajë dekretin për Ligjin për Lojërat e Fatit, me arsyetimin se ata do t’i humbin vendet e tyre të punës dhe se në periudhën e ardhshme kjo do të shkaktojë shpërnguljen e 35 mijë qytetarëve./Alsat.mk.

The post Kuvendi miratoi Ligjin e ri për Lojërat e Fatit, rregulla më të rrepta për kazinotë, klubet me automate dhe lojërat elektronike appeared first on Alsat.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme