Çështja e qëndrimeve të kundërta të MASHT-it dhe SBASHK-ut, lidhur me kompensimin ose jo të orëve të humbura gjatë grevës 3 javore në arsim, ka çuar në seancë të jashtëzakonshme Kuvendin e Kosovës.
Në këtë seancë u diskutua për një zgjidhje të mundshme për këtë çështje.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar që sa më shpejt të zgjidhet kjo çështje, duke propozuar që këto orë të zëvendësohen në fund të vitit shkollor.
Teksa ka shtuar se Kuvendi mund të autorizojë Komisionin Parlamentar për Arsim që të takohet me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe të SBASHK-ut për të gjetur një zgjidhje rreth kompensimit të orëve të humbura, raporton Kosovapress.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha se ideja është që të gjendet një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, ku MASHT-i ka vendosur që të zëvendësohen orët e humbura, kurse SBASHK-u ka refuzuar me ngulm një gjë të tillë.
Ai ka folur për rëndësinë e madhe që ka kompensimi i orëve për nxënësit, ku përmes një krahasimi ka hedhur poshtë refuzimin e SBASHK-ut, duke thënë se të gjithë arsimtarët e dinë se orët e mësimit nuk barazohen me orët e punës në një fabrikë.
E, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se plotësimi i orëve të humbura si pasojë e grevës së punëtoreve të arsimit po bëhet një sfidë më vete.
Sipas tij, Ligji për Grevën u jep të drejtë grevistëve për të mos vuajtur pasoja për veprimin grevist, por shtoi se është i sigurt se asnjë mësimdhënës nuk e konsideron pasojë ofrimin e dijes për fëmijët.
Nga seanca e Kuvendit, Bytyqi ka kërkuar nga SBASHK-u që të reflektojë, në mënyrë që të mos u mohohet fëmijëve ajo që u takon, e që është programi i plotë arsimor.
“E tërë kjo është një kosto të cilën do ta paguajmë të gjithë si shoqëri. Në asnjë mënyrë nuk besoj se një mësues mund ta dëmtojë nxënësin e tij duke e privuar atë nga një pjesë e programit mësimor. Ky privim rrezikon të thellohet në dëm të shkollarëve, sepse SBASHK-u tashmë po e sheh çështjen thjeshtë në dimensionin e dinjitetit vetanak karshi masës që përfaqëson. Tashmë, ne jemi në një rrethanë jo të mirë. Ambiciet tona për arritshmëri cilësie nuk mund të përmbushen duke mosrealizuar programet mësimore. Arsimi nuk është vendi ku kushdo nga palët do duhej të tregojë muskujt. Si drejtues i dikasterit të arsimit, unë nuk do mund të pajtohem asnjëherë për ta quajtur të mbyllur një vit shkollor me program mësimor të parealizuar… E thërras SBASHK-un që të reflektojë”, u shpreh ai.
Seanca e jashtëzakonshme për kompensimin e orëve mësimore po vazhdon, ku po zhvillohet një debat nga deputetët e pranishëm në këtë seancë.