Mbi 5 milionë euro ka shpenzuar Kuvendi i Kosovës gjatë nëntë muajve të vitit 2017, prej të cilave 4 milionë e 38 mijë euro kanë shkuar për paga dhe mëditje të deputetëve, administratës dhe stafit mbështetës politik, shkruan sot Koha Ditore.
Edhe pse gjatë kësaj periudhe Kuvendi nuk ishte shumë aktiv, shkaku i shpërbërjes së tij në muajin maj dhe konstituimit të legjislaturës së re në gusht, nuk kanë munguar udhëtimet zyrtare, drekat e shumta, shpenzimet për telefoni mobile e as ato për karburante.
Kuvendi ka shpenzuar 347 mijë euro për udhëtime zyrtare, brenda e jashtë vendit, mëditje për udhëtime, akomodim dhe shpenzime të tjera të udhëtimit.
Në raportin financiar të publikuar nga Kuvendi për nëntëmujorin e 2017-s, vihen re shpenzimet për bileta të udhëtimit dhe karburante, ku pjesa më e madhe e udhëtimeve janë në Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoni. Vetëm për bileta të udhëtimit, deputetët shpenzuan 56 mijë e 701 euro, administrata 21 mijë e 239 euro dhe stafi politik mbështetës 18 mijë e 482 euro.