I gjatë rreth 1.70 centimetra, jo shumë i zhvilluar dhe i moshës rreth të tridhjetave. Ky është përshkrimi i personit të cilin po e kërkon policia, i dyshuar si autor i vrasjes së Dilaver Bojkut, gjatë ditës së djeshme në restorantin “Aqua Bluskaj”.
Sulmuesi i Bojkut, sipas policisë ka qenë i veshur me bluzë ngjyrë të mbyllur, pantallona të shkurta po ashtu me ngjyrë të mbyllur si dhe sandale verore. Në kokë ka mbajtur kapelë të bardhë dhe syze të zeza për diell.
Sulmuesi është larguar në drejtim të panjohur, ndërsa policia po gjurmon pistat e mundshme që mund të çojnë tek ai.
Po ashtu, policia ka njoftuar se dorasi ka shtënë edhe në drejtim të dy personave tjerë.
SPB OHËR
“Një person rreth orës 16:45 ka ardhur dhe ka shtënë me armë zjarri duke e goditur D.B në pjesën e kokës dhe më pas ka ikur. Menjëherë më pas, djali i D.B së bashku me një person tjetër kanë vrapuar pas tij në tentim për ta zënë atë, por sulmuesi ka shtënë disa plumba në drejtim të tyre dhe ka ikur”
Dilaver Bojku llogaritej si “Bosi i prostitucionit në Ballkan”. Deri në vitin 2001 kundër tij janë ngritur 17 padi penale për ndërmjetësim gjatë prostitucionit.
Në vitin 2003, gjykata i shqiptoi dënim prej gjashtë muajve me burg për tregti me njerëz, por Bojku u largua nga burgu i Strugës.
Dy muaj pas ikjes ai u arrestua në Ulqin dhe u ekstradua në Maqedoni ku u dënua me katër vjet burg.
Pas përfundimit të dënimit, Bojku përfshihet në biznes legal në sferën e turizmit dhe hotelierisë.
Tashmë disa vjet ishte pronar i lokalit Akua Bluskaj në Strugë, vendi ku ndodhi incidenti i djeshëm, fatal për pronarin Dilaver Bojku-Leka./Shenja