“Lajthitja” e Ramës në Nju-Jork, akuzon SHBA për tradhti, ditën që ambasadori i ri vjen në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka kapërcyer çdo kufi të diplomacisë tradicionale duke akuzuar aleatin strategjik të Shqipërisë për “tradhti”.
Gjatë një fjalimi në mbrëmjen gala në Nju-Jork të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama zgjodhi të përdorë terma ekstremë, duke akuzuar hapur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Joe Biden për “tradhti” ndaj Hashim Thaçit.
Kjo akuzë e rëndë dhe e paprecedentë ndaj aleatit strategjik të kombit – në ditën kur ambasadori i ri amerikan shkeli në Shqipëri – shpërfaq një sërë problemesh kritike:

1. “Amnezia” politike
Rama duket se harron me dashje se ishte pikërisht partia e tij në Shqipëri dhe aleatët e kohës në Kosovë që mbështetën formalisht ngritjen e Gjykatës Speciale. Të sulmosh sot Uashingtonin për një proces që u ngrit me miratim institucional dhe ndërkombëtar, thjesht për të bërë “patriotizëm elektoral” përpara diasporës, është sa e papërgjegjshme, aq edhe hipokrite.

2. Standardi i dyfishtë
Ndërsa në Tiranë Rama shitet si kampioni i reformës në drejtësi të mbështetur nga SHBA-të, sapo kalon Atlantikun, ai e quan të njëjtën arkitekturë të drejtësisë ndërkombëtare si një “teatër turpi”.
Ky qëndrim tregon se parimet e tij mbi drejtësinë ndryshojnë në varësi të koordinatave gjeografike dhe audiencës që ka përballë.

3. Paradoksi i kohës
Ndërkohë që Rama lëshonte mallkime dhe akuza për “tradhti” në SHBA, në Rinas u ul ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt. Ardhja e këtij diplomati me karrierë të gjatë ushtarake dhe eksperiencë në sigurinë kombëtare dëshmon seriozitetin e Uashingtonit zyrtar për të vazhduar angazhimin e tij në Shqipëri, pavarësisht humorit politik të ditës së kryeministrit shqiptar.
Ky kontrast zbulon një të vërtetë të hidhur, retorika e egër e Ramës jashtë vendit është vetëm një konsum popullist.
Deklaratat e tij përfaqësojnë një strategji jo-serioze shtetërore, madje në kufijtë e skandalit, duke e “mirëpritur” ambasadorin e aleatit strategjik më akuzën e tradhtisë.

4. A mund të “shahet” Joe Biden?
Ish-presidenti amerikan Biden mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në histori.
Ishte tetori i vitit 1998, kur ai së bashku me senatorë të tjerë shprehën mbështetje për veprimet ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, për të ndalur dhunën në Kosovë.
NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve më 24 mars të vitit 1999.
Vetëm dy ditë përpara se të nisnin sulmet e para, Kongresi amerikan ishte ende i ndarë për vendimin.
Në atë seancë, Biden tha se sulmet ajrore “janë në interes të sigurisë së SHBA-së”.
Ai tha se lufta po kërcënonte besueshmërinë e NATO-s, ndërsa “vala masive e refugjatëve do t’i destabilizonte demokracitë e brishta në Maqedoni dhe Shqipëri”.
Kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, Biden ishte ndër të parët në SHBA që e përshëndeti atë dhe i ftoi edhe kolegët e tij që të shprehnin “mbështetjen e Senatit” për të.
Në vitin 2009, vetëm pas katër muajsh në postin e nënpresidentit amerikan, Biden vizitoi Kosovën.
“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pakthyeshme dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha Biden më 21 maj, 2009, në Prishtinë.

The post “Lajthitja” e Ramës në Nju-Jork, akuzon SHBA për tradhti, ditën që ambasadori i ri vjen në Tiranë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme