Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, i është përgjigjur deklaratave të kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, mbi ultimatumet që ka dhënë në një intervistë për televizionin publik.
Veliu, partia e të cilit është në koalicion me Pacollin, ka thënë për Express se ata marrin qëndrime vetë dhe, sipas tij, askush nuk mund të japë ultimatume dhe mësime se si të veprohet.
I pari i komunës së Podujevës ka treguar se deri më tash nuk ka pasur ndonjë indikacion se Pacolli mund të shkojë në PAN, dhe ta prishë koalicionin me LAA’në.
“Pak po më befason kjo deklarata e Pacollit. Të paktën deri më sot ne kemi qenë unik, nuk ka dhe s’ka pasur ndonjë indikacion për prishje të koalicionit apo ndonjë gjë tjetër. Mirëpo, ajo që mund të them është se Pacolli dhe askush tjetër nuk mund të qesë ultimatume për LDK’në. Ne e kemi udhëheqjen tonë dhe për çdo veprim i marrim vendimet vet”, ka thënë Veliu.
Ai ka theksuar se nuk do të ishte mirë nëse do të ndodhte ndonjë prishje e koalicionit LAA, pasi që, siç thotë ai, deri më tash kanë qëndruar mirë dhe kështu duhet të vazhdohet.
“Nuk është mirë të bëhen përçarje apo ndonjë lëvizje. LAA është unik dhe kështu duhet të vazhdohet”, ka thënë ai.
Veliu ka thënë po ashtu se Pacolli nuk mund të bëjë edhe bashkimin e partive, siç dëshiron vet.
“Pacolli nuk mund të flasë edhe për LDK’në dhe për VV’në, dhe të na bashkojë ose të na ndajë me qëndrime, duke na dhënë edhe ultimatume të përbashkëta”, është shprehur ai për Express.
Veliu ka thënë se institucionet e vendit duhet të formohen sa më shpejt që është e mundur dhe të mos krijohen kriza politike.
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar disa takime me liderin e VV’së, Albin Kurti, kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa, dhe Ramush Haradinajn, i nominuar i PAN’it për kryeministër.
Kurse në një interviste për RTK ai ka treguar për ultimatumin që u ka dhënë LDK’së dhe VV’së.
“Sot kam fol edhe me z. Mustafa, do të flas edhe me z. Kurti, dhe kam thënë se brenda dhjetë ditëshit të parë ju duhet të merreni vesh dhe nëse ju dy nuk jeni të gatshëm ta formoni një qeveri, unë nuk di çfarë kuptimi ka qëndrimi im aty”, ka thënë Pacolli.