Kryesia e LDK-së ka marrë vendimin për të dalë nga qeveria pasi që kryeministri Kurti shkarkoi sot ministrin e Punëve të Brendshme, nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu. Ata kanë inicuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.
Lajmin e bëri të ditur Isa Mustafa, pas këtij takimi, shkruan Insajderi.
“Nuk shohin arsye, as mundësi të jemi pjesë e kësaj qeverie”, tha Mustafa.
Me këtë veprim të LDK-së, Qeveria Kurti pati pushtet vetëm 47 ditë, duke u bërë qeveria më jetë shkurtër në Kosovë.
Kurti tha se e shkarkoi Agim Veliun për shkak të një deklarate të dhënë dje lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e që sipas Kurtit ka përhapur panik.
Ky veprim i Kurtit u kundërshtua ashpër nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Sipas Mustafës, Kurti e shkeli marrëveshjen qeverisëse pasi nuk e konsultoi paraprakisht atë para shkarkimit.