Mundësia që LAA-ja dhe Vetëvendosje të krijojnë një bashkëpunim për të bërë shumicën parlamentare, sa vazhdon e zbehet.
LDK-ja vazhdon të insistojë se Vetëvendosje duhet të kërkojë falje për veprimet e veta, veçanërisht ato në legjislaturën e kaluar dhe sulmet ndaj Isa Mustafës.
Në Interaktiv, deputeti Driton Selmanaj, ka thënë se Vetëvendosje duhet të sqarojë nëse e sheh kryetarin e LDK-së si kriminel apo jo.
Ai ka shtuar se LDK-ja nuk ka qëndrim kundër VV-së, por ka folur vetëm ato që kanë qenë të dukshme.
Driton Selmanaj, Deputet i LDK-së tha: “E kanë sulmuar shtëpinë e tij, veturën e tij, është sulmuar ai direkt, me gjësende të ndryshme që kanë mundur të rrezikojnë jetën e tij. E, nëse VV-ja mendon se Isa Mustafa është kriminel, atëherë nuk e di si mund të bashkëpunojmë. Por, nëse e kanë pasur për propagandë, le të tregojnë dhe ta kuptojë popullata se si ka qenë qasja e tyre ndaj LDK-së.”
Ndërkaq, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë dashur të flasin sot për këtë çështje, me arsyetimin se këtë do ta bëjnë në ditët në vazhdim.
Por, analisti Imer Mushkolaj, thotë se në këtë fazë, bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy partive, është i pamundur.
Sipas tij, veprimet e Vetëvendosjes në të kaluarën nuk janë çështje morale se a duhet tani të kërkohet falje, por i takojnë drejtësisë për të parë nëse duhet të ketë ndjekje penale për ato veprime.
Behxhet Pacolli i AKR-së, ka thënë javën e kaluar se nëse partneri i tij i koalicionit, LDK-ja, nuk arrin të merret vesh me Vetëvendosjen për koalicion brenda 10 ditësh, atëherë ai do ta shqyrtojë mundësinë që të votojë për qeverisjen e PAN-it.