LDK-ja do ta votojë në Kuvend projektligjin e Ushtrisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, derisa po mbahej takimi me strukturat e partisë në Klinë, ka thënë se LDK-ja e mbështet dialogun dhe se tashmë ka formuar grupin punues për Platformën e dialogut, i cili grup do të jep korniza të qarta se si të vazhdohet tutje me dialogun.

Beqiri ka shprehur gatishmërinë e LDK-së për zgjedhje të reja, në mënyrë që, siç tha ai, “dialogu të udhëhiqet nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe institucione legjitime të zgjedhura me votë të qytetarëve të Kosovës në zgjedhje të parakohshme, pasi që këto institucione kanë humbur fuqinë politike dhe legjitimitetin qytetar”.

“LDK-ja është kundër ndryshimit të kufijve me Serbinë, në çdo rast ku cenohet territori, integriteti dhe sovraniteti i vendit”, theksoi Beqiri, raporton Koha.net.

Ai poashtu ka shprehur qëndrimin se LDK-ja mbështet formimin e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me aleatët tonë të përhershëm SHBA-të dhe shtetet tjera evropiane, dhe ka thënë se “në momentin që projektligji kalon në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja e voton”.

Beqiri tutje ka thënë se LDK-ja nuk mund të mendohet pa gjeneratën e vjetër, themeluesit dhe bartësit e punëve me vite të tëra, nuk mund të mendohet pa gjeneratën e mesme dhe të re; të fuqizojë rolin e merituar të grave; është parti e cila ka nxjerrë ide mes tre gjeneratash, por para së gjithash është parti e cila është themeluar dhe po ndërtohet bazuar në filozofinë politike shtetërore të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.

“Të gjitha këto vlera e bëjnë LDK-në sot të jetë partia më e madhe, me grupin më të madh parlamentar dhe që në të gjitha sondazhet të dal e para sepse është vota e besimit të qytetarëve në vlerat e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Beqiri.

Anëtarët e kryesisë së LDK-së dëgjuan kërkesat e anëtarëve të kryesisë së degës së LDK-së në Klinë dhe ka shprehur gatishmërinë për mbështetje të degës, dhe gjithashtu ka kërkuar nga ta mobilizim të qytetarëve në aktivitete dhe gatishmërinë e tyre për zgjedhje.

Të pranishëm ishin, Nënkryetari Haki Rugova, Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, Kryetari i FRLDK-së, Fidan Rekaliu, deputetët Mirjeta Kalludra dhe Armend Zemaj.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme