Traditën që e kishte instaluar themeluesi i LDK-së Ibrahim Rugova, do ta vazhdojë LDK-ja 12 vjet pas vdekjes së tij.
Çdo të premte, Grupi Parlamentar i LDK-së do të thërrasë konferencë për media, ku do të diskutojë zhvillimet në vend, raporton KTV.
Kur foli për gjendjen shëndetësore të liderit aktual, Isa Mustafa, Hoti tha se ai shpejt do t’i kthehet familjes në Prishtinë.
Hoti pati akuza të ashpra për qeverinë Haradinaj.
Tha se për katër muaj, Haradinaj ka thyer të gjitha rekordet në degradimin e institucioneve.
E sa i përket Gjykatës Speciale, tha se liderët shtetërorë e bënë një veprim skandaloz kur tentuan ta shfuqizojnë atë duke i përdorur deputetët.
Hoti kërkoi që sa më shpejt marrëveshja për demarkacion të sillet në Kuvend, derisa menjëherë pas saj të japë dorëheqje Qeveria e të shpërbëhet Kuvendi.
Sipas tij, temat e mëdha nuk kanë marrë zgjidhje, ushtria është e kushtëzuar nga Lista Serbe, dialogu me Serbinë po zhvillohet pa asnjë platformë derisa presidenti është involvuar jashtëligjshëm në këtë proces.