Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq 4 persona, mes tyre dhe 3 ish-zyrtarë të Komunës Bërxullë për shkak se lejuan përvëtësimin e 7500 m2 tokë në këtë zonë përmes dokumenteve të falsifikuara.
Ish-zyrtarët akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre” ndërsa personitjetër për “Falsifikim të dokumenteve”.
Prokuroria njofton se këta të katërt, në bashkëpunim me njëri tjetrin lejuan përfitimin e paligjshëm të 7500 m2 tokë në Bërxullë, përmes falsifikimit të dokumenteve, nga shtetasi K.A., i cili më pas e shiti në vlerën e 10 milionë lekë (të reja).
Punonjësit, sipas prokurorisë me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë cenuar interesat e personave të tretë për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit të paligjshëm të pasurisë së tyre.
Sipërfaqja e tokës së përfituar me dokumente të falsifikuara është sekuestruar nën cilësinë e provës materiale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës.
NJOFTIM
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet për procedimin penal nr.5783 të datës 16.09.2020 dhe dërgoi në gjyq katër persona, mes tyre tre ish-zyrtarë të komunës Bërxullë, për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’, ‘Falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ parashikuar në nenet 248, 186/2 dhe 287 të Kodit Penal.
Sipas prokurorisë, shtetasit Y.M., K.B., A.L. në bashkëpunim me njëri-tjetrin lejuan përfitimin e paligjshëm nëpërmjet falsifikimit të 7500 m2 tokë në Bërxullë nga shtetasi K.A., i cili më pas e shiti në vlerën 10.000.000 lekë.
Bazuar në veprimet hetimore, deklarimet e marra, provat e mbledhura dhe ekspertimi i kryer, prokuroria arriti në konkluzionin se shtetasi K.A. ka kryer krimin e falsifikimit me pasoja të rënda për personat e tretë. Nërpërmjet dokumenteve të falsifikuara, ai është pajisur me çertifikatë pronësie për pasurinë në Bërxullë 7500m2 dhe më pas në vitin 2020 e shiti duke përfituar shumën prej 10.000.000 lekësh.
Po kështu, nga hetimet rezultoi se të pandehurit, shtetasit Y.M., K.B. dhe A.L. konsumuan veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ pasi kryen veprime në kundërshtim me ligjin. Këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë cenuar interesat e personave të tretë për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit të paligjshëm të pasurisë së tyre.
Shtetasi K.B. i cili nga muaji korrik 2011 deri në shtator 2015 ka mbajtur postin e Përgjegjësit të Zyrës së Mbrojtjes dhe Menazhimit të Tokës, në Komunën Bërxullë, duke ndërvepruar me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre dhe ish-kryetarin e Komunës dhe punonjësin tjetër, përpiloi shkresat për regjistrimin e pasurisë në emër të shtetasit K.A. pa kryer verifikimin e dokumentacionit.
Me kërkesë të prokurorisë, 7500m2 tokë e përfituar me dokumente të falsifikuara është sekuestruar.