Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka reaguar rreth takimeve të sotme të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, me deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Lekaj, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka akuzuar SHBA’në për “presion e shantazh” ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Ne diten e Evropës jemi me keq se në kohën e administrimit sipas rezolutës 1244/99, atëherë të paktën e kemi ditë që as formalisht e as praktikisht nuk jemi të pavarur dhe të tjerët kanë marrë vendime për neve. Por sot kur jemi në dekadën e parë të pavarësisë, çka kërkojnë njerëz të huaj në takime me forumet e partive, për të promovuar demokraci? JO, sigurisht që jo!”, ka shkruar Lekaj.
Ky është shkrimi i plotë i Lekajt në Facebook:
Në ditën e Evropës, u kuptuan shumë gjëra.
Në ditën e Evropës, njerëzit që do të duhej të promovonin vendimmarrje me integritet (medemek për tu përafruar me BE’n dhe integrimet tjera euroatlantike) ata promovojnë presion e shantazh, sipas disa agjendave që në favor mund t’i shkojnë vetëm kryeministrit në ikje dhe fqinjëve (aspak miqësor) të Kosovës.
Ne diten e Evropës jemi me keq se në kohën e administrimit sipas rezolutës 1244/99, atëherë të paktën e kemi ditë që as formalisht e as praktikisht nuk jemi të pavarur dhe të tjerët kanë marrë vendime për neve. Por sot kur jemi në dekadën e parë të pavarësisë, çka kërkojnë njerëz të huaj në takime me forumet e partive, për të promovuar demokraci? JO, sigurisht që jo!
E Kosovës nuk i ka mbetë asgjë tjetër, veçse të kërkojë të drejtën e vet mbi vetëveten. Të kërkojë qeveri, kuvend e deputetë plotësisht të pavarur, kështu do të jetë më e sigurtë, ndryshe siç tani është nënshtruar nga qeveria e saj, nuk e kemi të gjatë ri-pushtimin.
Ne jemi vendi me proamerikan e proevropian në botë, por jo për tu nënshtruar sipas diktatit të disa ambasadorëve, siç dikur na e bënën ata që i përndjekem në bashkëpunim me shtetet e këtyre ambasadorëve, por për të qenë miq që ia ruajnë krahët njëri-tjetrit, ashtu si kemi bërë çdo herë.
Në ditën e Evropës, Kosova ka nevojë për ndryshim, jo për vazhdimësi të plogësht e nënshtrim.