Pas vendimit të kthimit të AAK’së në Kuvendin e Kosovës pas bojkotimit disa mujor të jetës parlamentare në shenjë proteste ndaj marrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë, udhëheqësi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka bërë të ditura qëndrimet dhe veprimet e këtij subjekti politik në të ardhmen.
“Do të japim kontributin tonë si opozitëbërje për t’i shtyer proceset përpara sepse kaloi një vit dhe dihet se parlamenti i Kosovës i ka përmbushur vetëm 35% të parashikimeve. Aty ku nuk ka opozitarizëm mendoj se është e shkatërruar demokracia dhe mu për këtë pasi që ne kemi paralajmëruar me kohë se do të kthehemi në parlament, jemi edhe si deputetë për çka e kemi marrë edhe besimin e qytetarëve”, ka arsyetuar vendimin e kthimit në Parlamentin e Kosovës, Lekaj.
I pyetur nëse ka kërkuar falje në seancën e Kuvendit të Kosovës kur ka hedhur vezë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi, Lekaj ka mohuar të ketë kërkuar falje.
“Jo, nuk kemi kërkuar falje, mirëpo e kemi bërë një shaka me presidentin dhe kryeministrin të cilët më kanë thënë se “na ke borxh për hudhjen e vezëve”. Kjo ka qenë shaka. Por, ajo që mund të them kanë qenë veprime jo fort të pranueshme për qytetarët dhe neve, por që kanë qenë të domosdoshme për t’i sensibilizuar qytetarët se diçka e keqe po i ndodh Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Pal Lekaj ka pranuar se edhe në kohën e elektrizimit të marrëdhënieve pozitë – opozitë, nuk ka munguar komunikimi. “Ne jemi njerëz dhe ne nëse atakojmë proceset negative nuk do të thotë që ne të atakojmë individin dhe të jemi armiq njëri me tjetrin. Cdoherë kemi atakuar dukuritë negative që shkojnë në disfavor të qytetarëve”, ka thënë Lekaj. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes në të ardhmen me ndonjërën nga partitë aktuale në pushtet, PDK apo LDK.
I pyetur nëse lideri i AAK’së e ka dobësi pozitën e kryeministrit dhe nëse e devijojnë rrugën e opozitarizmit sa herë që dikush ia shtron Ramush Haradinajt tepihun e kuq, Lekaj ka thënë se i pari i AAK’së asnjëherë nuk është joshur për pushtet, por që gjithnjë ka qenë në nivel të detyrës kur është bërë fjalë për ndryshimet pozitive që i duhen shtetit të Kosovës.
“Nuk do të jemi pjesë e asnjë koalicioni qeverisës në këtë mandat, por mendoj që pas zgjedhjeve gjithçka është e mundshme. Nuk kemi vija të kuqe, por që çdo herë do të jemi të përcaktuar me orientimin që na japing qytetarët, me mbështetjen e votës sepse qytetarët do të jenë përcaktues se si do të duket formula qeverisëse në Kosovë në të ardhmen”, ka thënë Lekaj në intervistën “Saktë”, e cila realizohet nga portal Sakte.net dhe televizioni First Channel./Sakte.net