Koalicioni PDK-AAK-NISMA (PAN) kanë deklaruar se kanë siguruar votat edhe jashtë koalicionit të tyre për ta formuar qeverinë e drejtuar nga kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj.
Deputetët jashtë PAN’it nuk kanë marrë asgjë në këmbim të votës, por ata besojnë në karakterin unifikues të Haradinajt. Kështu ka deklaruar Pal Lekaj për Gazeta Metro.
Lekaj thotë se askush nuk duhet të befasohet nga votat që Haradinaj do t’i marrë, duke kujtuar se Haradinajt para tri vitesh i kishin besuar postin e kryeministrit edhe Vetëvendosje e LDK’ja (si pjesë e VLAN-it).
Ai mohon akuzat për “kontrabadim të deputetëve”, duke kujtuar që sipas kushtetutës, mandati i deputetëve është i lirë dhe si i tillë nuk është nënshtrues ndaj vendimeve apo qëndrimeve partiake.
Ditë më parë ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që deklaroi se PAN po bën “kontrabandim me deputetë”.
Por, ish-shefi i grupit parlamentar të AAK’së thotë se askush nuk duhet të mendojë se vullneti i deputetit duhet të jetë në përputhje me atë të organeve të partisë.
“As Vetëvendosje e asnjë parti apo koalicion tjetër të mos mendojë se vullneti i deputetit duhet të jetë në përputhje me vendimet e organeve partiake. Kemi shumë raste në legjislaturat e kaluara kur deputetë të pozitës kanë mbështetur opozitën në kundërshtim me vijat e partisë, por me të drejtën e respektimit të mandatit të tyre të lirë”, u shpreh Lekaj për gazetametro.net
Pak ditë më parë Lekaj pati konfirmuar për Gazeta Metro se ata po presin vetëm certifikimin e rezultateve nga KQZ për ta formuar Qeverinë, duke treguar se kanë 2-3 vota nga koalicioni në mes të LDK’së, Alternativës dhe AKR’së (LAA).
“E kam thënë se ne kemi siguruar votat e mjaftueshme për votimin e Qeverisë, por ne nuk i kemi ofruar askujt asgjë, votat e deputetëve të partive tjera do të jenë vota të bindjeve të tyre mbi personalitetin unifikues të Haradinajt. Mos të harrojmë se tash tri vite më parë Haradinaj ka qenë i nominuar për kryeministër si nga Vetëvendosje po ashtu edhe nga LDK’ja, kjo tregon se ai është personalitet politik i pranuar nga të gjithë”, tha Lekaj.