Përbërja e re qeveritare do të dorëzohet nesër në Kuvend. Kryeministri Zaev tha se emrat për të gjitha ministritë tashmë janë konfirmuar dhe se përmbledhjen e CV-ve dhe autobiografitë e kandidatëve për postet ministrore dhë zv/ministrore do të dorëzohen nesër në Kuvend. Zaev theksoi se shpreson që deri në fund të muajit, Kuvendi do t’i vendos ato në rend dite dhe sa më shpejtë të kompletohet Qeveria.
Në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, Ministria e Kulturës do të udhëhiqet nga kuadër i BESËS, e cila do të jetë pjesë e shumicës parlamentare. Pas konfirmimit të kësaj partie se do të drejtojë Ministrinë e Kulturës kanë pasuar reagime të personaliteteve të jetës publike dhe organizatave joqeveritare, që e kundërshtojnë këtë vendim me arsyetime të ndryshme. Florina Emini nga Lëvizja BESA, tha se nuk ka vend për panikë dhe nuk ka asgjë të keqe nëse Ministrinë e Kulturës e udhëheqin shqiptarët.
FLORINA EMINI, LËVIZJA BESA
“Duke e respektuar qëndrimin e tyre, si dhe duke shfaqur gatishmëri për të bashkëbiseduar dhe komunikuar me të gjithë ata se me çka rrezikohet kultura në Maqedoni nëse atë e drejton Lëvizja BESA, pa dashur të paragjykojmë për motivet dhe prapavijën e nxitjeve, dëshirojmë të shpjegojmë se nëse ndonjë parti shqiptare në Maqedoni ka merituar të jetë pjesë e kësaj qeverie, kjo është Lëvizja BESA”
Asaf Ademi është kandidat i Lëvizjes BESA, për ministër të Kulturës. Ademi ka qenë kandidat i Lëvizjes BESA në zgjedhjet e fundit lokale për Komunën e Gostivarit.