Lëvizja Besa e udhëhequr nga Nexhbedin Kahremani do të mbajë kongresin e parë më 18 shkurt në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Në të parashihet që të zgjidhen Kuvendi Qendror dhe kryetari i partisë. Nga kjo parti nuk kanë shpalosur emrat që do të garojnë për postin e kryetarit të partisë. Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa tha se ajo është e drejtë e delegatëve të kongresit, të cilët me 1/10 e nënshkrimeve mund të propozojnë për kryetar secilin delegat.
Orhan Murtezani, Lëvizja BESA
“Kongresi do te zhvillohet ne bazë të procedurave që janë paraparë me statut dhe me rregulloren për organizim të Kongresit. Pas përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të brendshme na mbetet vetëm edhe organizimi i Kongresit si maja e organizimit të brendshëm të Lëvizjes Besa. Në bazë të statutit dhe rregullores, kandidatet mund të kandidohen në Kongres ndërsa ajo që është më e rëndësishme është së në Kongres do të zgjidhen dy organet kryesore të Lëvizjes Besa: kryetari dhe Kuvendi Qendror”.
Ndërkohë, Këshilli Qendror i Lëvizjes Besa në muajin janar të këtij viti shkarkoi nga posti i kryetarit Bilall Kasamin. Vendimi u mor në mbledhjen në të cilën kanë marrë pjesë 64 anëtarë nga gjithsej 107 të këtij Këshilli. Këshilli akuzoi Kasamin për bllokimin e të gjitha organeve të partisë për më tepër se dy muaj. Në atë mbledhje u vendos që Nexhbedin Kahremani të jetë ushtrues detyre si kryetar i kësaj partie. Gjithashtu, u konstatua se secili anëtar i kësaj partie ka të drejtë të kandidojë për secilin post në Lëvizje dhe konform Statutit të Lëvizjes të zgjedhë dhe të zgjidhet.