I dyshuari për sulmin ndaj gazetarit Vehbi Kajtazit, Fitim Thaqi, ka lidhje familjare me deputetin Milaim Zeka. Ai është aktivist i Nismës për Kosovën që drejtohet nga Fatmir Limaj. Thaqi po kërkohet nga policia.
Fitim Thaqi nga fshati Llapushnik është shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare pasi të premten ka sulmuar fizikisht gazetarin Vehbi Kajtazi në qendër të Prishtinës.
Insajderi raporton se sulmi kundër Vehbi Kajtazit është kryer nga një familjar i deputetit Milaim Zeka dhe ish-deputetit Azem Syla.
Halla e Milaim Zekës është e martuar për axhën e sulmuesit Fitim Thaqi. Ndërkaq, Thaqi është nip i familjes së Azem Sylës.
Siç raporton Insajderi ditën e sulmit, Fitim Thaqi ka qenë duke pirë kafe me Faton Ramadanin, Bekim Shytin dhe dy persona tjerë. Sulmi besohet se është organizuar nga Faton Ramadani dhe Milaim Zeka.
Një informator i ka treguar Policisë se më 4 tetor, nga ora 13 deri në 14 pasdite, Milaim Zeka, Faton Ramadani, Fitim Thaqi kanë diskutuar në restorantin Central për sulmin.
Ndërkohë nëpërmjet llogarisë së Thaqit në Facebook, shihet se ai ishte i afërt me të gjithë politikanët e lartë të vendit, përfshirë Kadri Veselin dhe Behgjet Pacollin.
Ndërkohë, i kërkuari nga policia stërvitej edhe në boks. Këtë e dëshmon një video e hedhur nga vetë ai në Facebook.
Kryeredaktori i Insajderit Vehbi Kajtazi është sulmuar të premten rreth orës 14:30 në qendër të Prishtinës, derisa po qëndronte në njërën prej lokaleve të kryeqytetit kosovar.
Kajtazi deklaroi të shtunën se e ka identifikuar vet personin që e kishte sulmuar, teksa tha se “sulmi ndodhi për shkak të shkrimeve të mija”.