Ligjëratën në Austri, Lladrovcit ia mundësoi kushëriri konsull (Foto)

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci udhëtoi javën që shkoi në Austri në një vizitë zyrtare të cilën e përfundoi me një ligjëratë dhe bashkëbisedim me studentë shqiptarë në Universitetin e Grazit. Insajderi ka gjetur se këtë takim ia ka organizuar konsulli i Kosovës në Austri, kushëriri i kryetarit të Lladrovcit, Imer Lladrovci.

Një muaj para se zyrtarisht të nisë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i zgjedhur në këtë post, në zgjedhjet e mbajtura në fund të vitit të kaluar, bëri një vizitë zyrtare në Austri.

Lladrovci synon të marrë një mandat të plotë si kryetar komune.

Me ftesë të kryetarit të qytetit Gleisdorf, Christoph Star, Lladrovci takoi zyrtarë të kësaj komune, më pas u takua me një kryetar tjetër të një komune, atë të Weizit.

Të dy komunat kanë gjashtë herë më pak banorë sesa Drenasi por sipas njoftimeve të Komunës së Drenasit, atje ka shumë potencial për investime.

Lladrovci nuk la pa e përmendur edhe faktin e barazisë gjinore në Komunën e Drenasit.

Në të gjitha këto takime, Lladrovci nuk ishte vetëm.

Ambasada e Kosovës në Austri, caktoi konsullin Imer Lladrovcin që ta shoqërojë kryetarin e Drenasit në takimet e tij.

Por konsulli Lladrovci kishte edhe një detyrë tjetër: organizimin e një ligjërate të kryetarit Lladrovci para studentëve shqiptar në Universitetin e Grazit në Austri.

Konsulli Lladrovci dhe kryetari Lladrovci janë familjarë të ngushtë. Këtë e ka konfirmuar edhe vet konsulli për Insajderin.

“Gëzohem dhe ndjehem krenar me lidhjet tona familjare. Gjyshi i Ramizit dhe gjyshi im, kanë qenë vëllezër”, ka thënë konsulli Lladrovci.

Dhe fjalimi kishte ndodhur me 14 shtator, në fund të vizitës së kryetarit Lladrovci.

Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, fjalimi i Lladrovcit ishte “përmbajtjesor” dhe ishte mbajtur në sallën e ligjëratave në Universitetin e Grazit.

“Studentët ishin të interesuar të dinë se çfarë është diskutuar dhe dakorduar me kryetarët e dy komunave, që ka pasur takim Lladrovci, ata po ashtu deshën të dinë dhe për takimet që ka pasur kryetari me biznesmenë dhe drejtues të firmave të rëndësishme”, thuhet në njoftim.

Vet konsulli ka treguar se ka qenë ai që ka aranzhuar këtë ligjëratë të kushëririt të tij, kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Konsulli ka shoqëruar, me kënaqesi Kryetarin e Drenasit, z.Ramiz Lladrovci dhe delegacionin e tijë në çdo takim dhe ka bërë organizimin e takimeve me studentë dhe bashkatdhetarë”, ka thënë konsulli.

“Ambasada ka bërë agjendën dhe ka vënë në dispozicion Konsullin për ta përcjellë dhe mbështet në çdo takim Delegacionin”, ka shtuar ai.

Por Komuna e Drenasit ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e Insajderit lidhur me këtë udhëtim zyrtar të kryetarit të Komunës.

As kryetari Lladrovci nuk është përgjigjur nëse aranzhimi i kësaj ligjërate në Universitet ka qenë e organizuar nga kushëriri i Lladrovcit, konsulli Imer Lladrovci.

Madje Komuna dhe kryetari fillimisht kanë mbajtur një “leksion” mbi paragjykimet dhe gjykimet në gazetari dhe më pas ka treguar se në Austri ka udhëtuar me ftesë të dy kryetarëve të komunave, ani pse as kjo nuk del të jetë e vërtetë.

Ka qenë vetë konsulli që ka thënë se Lladrovci është ftuar vetëm nga kryetari i një komune e jo nga dy.

“Kryetari Ramiz Lladrovci ka ardhur me ftesë të Kryetari të qytetit Gleisdorf, z.Christoph Stark”, ka thënë konsulli për Insajderin.

Ai ka treguar gjithashtu për zanafillën e kësaj vizite. Sipas konsullit të Kosovës në Austri, zanafilla e këtij takimi kishte qenë në një vizitë që kryetari Christoph Stark ka pasur në Ambasadën e Kosovës në Vjenë, me 12 tetor 2015, por nuk ka sqaruar arsyet e ftesës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme