Ligji për gjuhën shqipe, e zyrtarizon apo vetëm e avancon përdorimin e saj në Maqedoni

Pas votimit të parë të propozim-ligjit për gjuhët në Maqedoni po shtohen debatet nëse gjuha shqipe do të bëhet gjuhë e dytë zyrtare apo vetëm do të avancohet përdorimi i saj.

Pas pak ditësh në komisionet parlamentare pritet të vazhdojë leximi i dytë mbi këtë ligj, i cili megjithatë do të mundësojë një shtrirje të gjerë të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, pas shumë vitesh pritjeje të zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Faza e parë e miratimit të Propozim-ligjit mbi përdorimin e gjuhëve në Maqedoni është pritur në mënyra të ndryshme, ndërsa duket që me këtë do të përmbyllet më në fund Marrëveshja e Ohrit, zbatimi i pjesëve të së cilës është zvarritur prej vitesh, raporton VoA. Faza e dytë, përkatësisht debati në seancë plenare të parlamentit për gjuhët, ku gjuha shqipe në Maqedoni do të ketë një shtrirje të gjerë, sipas pritjeve do të zhvillohet në fund të muajit ose në fillim të dhjetorit, por seanca mund të zgjasë pa parashikim për shkak të paralajmërimit nga opzita maqedonase se do të paraqesë një numër të madh propozim-amendamentesh. Sipas praktikës, kjo mënyrë shërben për zvarritjen pa fund të diskutimeve në parlament.

VMRO-DPMNE kërkon një debat të gjerë mbi ligjin para se të hapet faza e dytë në parlament, por kjo gjë sipas ligjeve, nuk bëhet sepse opozita e ka vonuar kërkesën e saj.

Edhe një pjesë e shoqërisë civile, ndërkaq, sugjeron një debat publik me ekspertë të fushave mbi propozim-ligjin për gjuhët.

Uranija Pirovska e organizatës joqeveritare Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut thotë se poropozim-ligjit i duhen bërë shumë korrigjime, por para së gjithash duhet të ketë një debat të gjerë publik mbi të, të dëgjohen mendimet e ndryshme me që, siç shprehet, “në bazë të ligjit ne duhet të ndërtojmë mënyrën e bashkëjetesës me komunitetet etnike. Me këtë rast duhet të kihen parasysh fryma dhe baza e Marrëveshjes së Ohrit, pra të mos avancohet vetëm një komunitet etnik”, aludon ajo për shqiptarët, ndërsa zbatimin e ligjit në praktikë, e shikon si mjaft të vështirë.

Ndërkaq, disa prej ekspertëve, si Osman Kadriu vlerësojnë se propozim-ligji bën avancimin, por jo zyrtarizimin e shqipes në Maqedoni. Dhe zbatimi i ligjit të ri do të jetë edhe më i vështirë, thotë eksperti i çështjeve kushtetuese:

“Nuk garantohet se gjuha shqipe do të jetë gjuhë zyrtare në nivel të shtetit. Nuk kemi dygjuhësi në Maqedoni dhe me këtë ligj nuk kemi barazim të gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase. Por, çka fitohet? Një cilësi e rëndësishme që ka të bëjë me statusin apo avancimin e statusit të gjuhës shqipe, meqenëse në propozim ligj parashikohen institucionet, ndërmarrjet, të gjitha ato që kanë status të personit juridik, duke përfshirë edhe organet e pushtetit në nivel të shtetit në të cilat do të përdoret gjuha shqipe në një nivel të caktuar. Ajo që është risi, edhe do të jetë shumë rëndë për ta zbatuar është procedura gjyqësore, penale, civile, administrative dhe drejtimi i procedurës që të sigurohet në gjuhën shqipe”, thotë Kadriu.

Si do që të jetë shqiptarët në përgjithësi e kanë mirëpritur propozim-ligjin, ndërsa eksponentë politikë shqiptarë nuk përjashtojnë mundësinë e barazisë së plotë të maqedonishtes me shqipen edhe në kushtetutë brenda një periudhe të ardhme kohore.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme