Projektligji për kryeqytetin e Kosovës-Prishtinën do të kalojë nëpër të gjitha procedurat e nevojshme, të cilat do të përfundojnë deri më 16 mars, dhe pastaj do të dërgohet për shqyrtim të dytë në Kuvendin e Kosovës për miratim përfundimtar.
Kështu ka deklaruar të hënën për “Kohën Ditore” kryetari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani, i cili ka bërë të ditur se Komisioni do të takojë gjatë javës drejtuesit e Ministrisë së Pushtetit Lokal, dhe drejtuesit e Komunës së Prishtinës, të cilëve do t’u ofrohet mundësia që të japin sugjerimet e tyre të fundit rreth formës finale të Projektligjit.
Projektligji për Prishtinën ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, në dhjetor të vitit të shkuar, dhe të premten e kaluar ai ka qenë në rend dite për lexim të dytë në seancën plenare. Por ende pa filluar punimet seanca, deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që ta heqë këtë projektligj nga rendi i ditës, pasi që, sipas tij, nuk janë plotësuar procedurat ligjore për sjelljen e tij në lexim të dytë.
Prandaj, kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, ka bërë të ditur se Komisioni për Qeverisje Lokale nuk e ka parashtruar kërkesën për lexim të dytë të Projektligjit për Prishtinën.