Gazetare: Fatlume Dervishi
Ndër çështjet që BDI-ja dhe grupi i tyre parlamentar duhet të diskutojë dhe të marrë qëndrim, është edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale i cili pritet të gjendet në seancën e caktuar për ditën e nesërme. Deri tani, nga kjo parti nuk kanë dhënë zyrtarisht një qëndrim të prerë nëse do ta mbështesin atë. Gjithsesi vota e deputetëve të Frontit Evropian është e rëndësishme, për shkak se ligji miratohet me shumicë të Badenterit, përskaj shumicës prej 2/3. Jozyrtarisht ka zëra se partia e Ahmetit do japë mbështetje, siç bëri me ligjin për riorganizimin e organeve shtetërore.
Një parti tjetër që duhet po ashtu të ndërtojë qëndrim për ligjin është edhe LSDM-ja. Ata kanë premtuar se do ta bëjnë këtë sapo të kenë propozimin konkret.
Ligji është propozim i firmosur nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe ZNAM-i dhe ai parashikon që të mos organizohen zgjedhje të parakohshme në Komunat me ushtrues detyre, deri në zgjedhjet e rregullta. Më pas partitë duhet të bien dakord për një ligj tërësisht të ri për vetëqeverisje lokale dhe një zgjidhje të përhershme. Nëse ndryshimet e propozuara nuk miratohen, në tre komunat Aerodrom, Saraj dhe Gostivar, duhet të organizohen zgjedhje të parakohshme në fillim të vitit të ardhshëm. Ata kryetar që do të zgjidhen eventualisht në zgjedhje të parakohshme, sipas ligjit aktual në fuqi, do të duhet të gëzojnë mandat deri në zgjedhjet e rregullta, deri në tetor të vitit të ardhshëm.
Aerodromi, Saraji dhe Gostivari janë me ushtrues detyre kryetar, për shkak se ish krerët e tyre të zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta në vitin 2021 morën pozita të reja. Timço Mucunski u bë ministër i Jashtëm, Blerim Bexheti zgjidhi të mbetet deputet, kurse Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë./Alsat.mk