Lista Serbe: Nuk do të marrim pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës

Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës njoftoi të dielën se nuk do të marr pjesë në votimin për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e ardhshëm ku do të vendoset për largimin e katër kryetarëve jolegjitimë në veri të Kosovës, sepse Albin Kurti bëri gjithçka që ai referendum të mos ketë sukses”, tha kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek duke nënvizuar se një ndër arsyet e mospjesëmarrjes në votim është edhe fryrja e listës së votuesve.

“Listat e votuesve nuk pasqyrojnë gjendjen reale në terren. Kohët e fundit është rritur numri i shqiptarëve në listat zgjedhore, pasi për dy muaj në të gjitha komunat është rritur numri i votuesve, deri në 433 për qind”, tha ai.

Vendimi që me 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës pasoi verifikimin e listave të nënshkrimeve që janë mbledhur për një peticion gjatë muajit janar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. Peticioni ishte nënshkruar nga mbi 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.

  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka bërë përgatitjet për votimet e 21 prillit dhe për largimin e kryetarit të një komune duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote. Nëse dështon, një peticion tjetër nuk mund të organizohet përpara se të kenë kaluar 12 muaj.

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek tha se në disa raste, gjatë takimeve me përfaqësues të vendeve të Quint-it, “kemi paralajmëruar se këto të dhëna nuk janë të sakta dhe se nuk e pasqyrojnë situatën e vërtetë në terren, sepse në muajt e fundit, më shumë se 15 për qind e njerëzve nga veriu i Kosovës janë shpërngulur. Fatkeqësisht, nuk kemi gjetur mirëkuptim”.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë e cila u përkeqësua pas sulmit të 24 shtatorit të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku./VOA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme