Projektligji për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, sot pritet të jetë në rend dite të seancës së Kuvendit për ratifikim.
Kjo marrëveshje, ratifikimi i së cilës është njëri nga kushtet kryesore të BE-së për heqjen e vizave, në Kuvend do të shkojë për herë të dytë, pasi një gjë të tillë e kishte dërguar edhe ish-kryeministri Mustafa, por që e kishte tërhequr.
Ajo tash do të shkojë së bashku me një aneks-marrëveshje e cila parasheh shqyrtimin e ngritjes së shqetësimeve se Kosova humb territor nga marrëveshja e 25 gushtit e vitit 2015.
A siguron ratifikimi i demarkacionit lëvizjen e lirë?!
Edhe pse zyrtarët institucional të Kosovës janë shprehur se ratifikimi i demarkacionit mundëson vendimin e BE-së që kosovarët të lëvizin lirshëm në zonën schengen, përfaqësues të shteteve të Bashkimit Evropian, kanë shpeshtuar deklaratat se lufta kundër korrupsionit është kushti tjetër për heqjen e vizave.
Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, gjatë qëndrimit në Prishtinë më 14 shkurt, ka thënë se Kosova nga 95 kushte ka mbetur pa plotësuar edhe dy, ratifikimin e demarkacionit dhe luftën kundër korrupsionit.
“93 prej 95 kushteve janë plotësuar, kanë mbetur edhe dy. Njëra ka të bëjë me shënjimin e vijës kufitare me Maline Zi, ndërsa tjetra lufta kundër korrupsionit. Nëse këto dy kushte plotësohen, atëherë ne mund të vazhdojmë përpara”, ishte shprehur Danielsson.
Po thuajse në një frymë kanë qenë edhe deklaratat e zyrtarëve tjerë të BE-së.
Ndërsa, nga institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë përgjigjeje nëse luftimi i korrupsionit është kthyer kusht për heqjen e vizave, shkruan lajmi.net.
Lajmi.net ka dërguar pyetje në Ministrinë e Integrimeve Evropiane më 15 shkurt, nëse vizat hiqen me ratifikimin e demarkacionit dhe nëse lufta kundër korrupsionit është kthyer kusht për heqjen e vizave, por që nuk ka marrë përgjigje.
Por, ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha në deklarimet për media shpesh ishte shprehur se sa më shpejtë të ratifikohet demarkacioni aq më shpejt hiqen vizat. Por, jo vetëm ajo edhe zyrtarë të tjerë shtetëror, duke përfshirë kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe presidentin, janë shprehur se me ratifikimin e demarkacionit hiqen vizat.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti e cila në mandatin e kaluar ishte në qeveri, kanë thënë se lufta kundër korrupsionit është kthyer kusht për heqjen e vizave me qeverinë Haradinaj, kusht ky i cili ishte hequr në qeverinë e Isa Mustafës.
Ndërsa që edhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë vlerësuar se pa luftimin e korrupsionit nuk ka heqje të vizave.
Kosova është i vetmi vend në Ballkan e cila përballet me regjim të vizave.