LSDM kërkon përgjegjësi për ujin në Gostivar, VMRO-DPMNE: Mos përhapni panik

Gazetare: Melihate Rustemi

Përplasjet politike për ujin në Gostivar ende vazhdojnë. Edhe pse institucionet kanë njoftuar se uji është i sigurt për t’u pirë, LSDM-ja kërkon përgjegjësi për krizën disa javëshe. LSDM-ja akuzon institucionet se qytetarët për më shumë se një muaj kanë marrë informacione kontradiktore për cilësinë e ujit. Nga kjo parti kërkojnë që Prokuroria të veprojë mbi kallëzimet penale të paraqitura prej tyre dhe të përcaktojë përgjegjësinë për krizën shëndetësore në Gostivar. Nga LSDM thanë se rreth 5 mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe kërkojnë që para opinionit të publikohen analizat dhe raportet zyrtare për ujin.

“Funksionarë dhe politikanë bëjnë dolli, pinë ujë para kamerave, ndërsa për një muaj të tërë qytetarët pinë ujë të ndotur me fekale. Turp dhe skandal. Përgjegjësi zero!  Kërkojmë që Prokuroria urgjentisht të veprojë mbi kallëzimet penale të parashtruara nga LSDM-ja. Kërkojmë veprim urgjent nga prokurori Saveski, nëse është kthyer nga ekskursioni, për të përcaktuar se kush dhe mbi bazën e cilave analiza ka nënshkruar se uji është i sigurt. LSDM-ja nuk do të lejojë që këto raste të futen në sirtar. Për helmimin në Gostivar duhet të ketë përgjegjësi”, tha Keti Shterjova, LSDM

Në anën tjetër, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, thotë se të gjitha institucionet kompetente kanë kryer analizat e nevojshme dhe se rezultatet kanë konfirmuar se uji në Gostivar është i sigurt për pije. Petrushevski akuzon LSDM-në se po përhap gënjeshtra dhe panik tek qytetarët, duke kërkuar nga opozita që, siç thotë, të “vijë në vete” dhe të ndalojë me dezinformatat për ujin.

“Është e dukshme se në LSDM vërtet mbizotëron kaos i plotë. Me këtë rast do t’u bëjmë me dije se deklaratat e tyre kanë mbetur në përhapjen e gënjeshtrave dhe panikut te qytetarët dhe jo vetëm gënjeshtra, por edhe informacione të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. Fakt është se uji në Gostivar është i sigurt për t’u pirë. Të gjitha institucionet kompetente, brenda afatit të duhur, i kanë kryer të gjitha analizat e nevojshme dhe dje u dëshmua se uji tashmë është i sigurt për t’u pirë.Por LSDM-ja, edhe pas këtij lajmi, filloi të flasë pa bazë dhe të kërkojë dokumente”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Ndërsa opozita këmbëngul se duhet të publikohen analizat dhe raportet zyrtare, nga VMRO-DPMNE-ja thonë se qytetarët janë të sigurt dhe se Qeveria po kujdeset për shëndetin e tyre. /Alsat.mk

 

The post LSDM kërkon përgjegjësi për ujin në Gostivar, VMRO-DPMNE: Mos përhapni panik appeared first on Alsat.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme