Gazetar: Miki Trajkovski
Lufta në Lindjen e Mesme po shkakton pasoja edhe në turizmin në Maqedoni. Punonjësit e sektorit të turizmit dhe hotelierët ankohen për interesim më të ulët për këtë verë, për anulime të aranzhmaneve ose për aranzhmane të vendosura në pritje. Ata thonë se tregu holandez, në të cilin deri para dy vitesh mbështetej turizmi në Ohër dhe Strugë, ka shënuar një rënie të madhe prej 70%, njësoj si edhe tregu britanik. Sipas tyre, mbetet pikëpyetje se si do të kalojë ky sezon turistik.
“Kishte paralajmërime për këtë verë, por ka mjaft anulime. Disa aranzhmane janë në pritje, ende nuk janë konfirmuar, ndërsa hotelet kërkojnë parapagim për të garantuar rezervimin. Rezervimet e hershme këtë vit janë shumë të pakta. Mendoj se ne duhet të fokusohemi para së gjithash te shtetet fqinje – Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Edhe bullgarët po shfaqin interes të vijnë në numër më të madh. Ndoshta një rrethanë pozitive për Maqedoninë janë kërkesat në Greqi për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve”, deklaroi Vllado Suklloski – punonjës turistik.
Punonjësit e sektorit të turizmit thonë se turizmi mund të përfitojë nga situata aktuale, kur njerëzit po e kanë më të vështirë të vendosin të udhëtojnë drejt destinacioneve më të largëta.
“Ne, si destinacion, Maqedonia, Ohri dhe Ballkani, kemi mundësi ta shfrytëzojmë momentin e këtij vakumi, i cili me siguri do të zgjasë deri në fund të vitit, dhe të tërheqim disa grupe ad hok duke i orientuar drejt Maqedonisë. Kështu që këtu shoh një mundësi. Mendoj se, nëse situata stabilizohet, në vjeshtë mund të presim që një pjesë e grupeve aziatike të rikthehen dhe të kompensohet ajo humbje, por gjithçka varet nga drejtimi në të cilin do të zhvillohen ngjarjet në Lindjen e Mesme”, theksoi Vllatko Sulev – Kryetar i Rrjetit të Turoperatorëve për Turizëm Hyrës.
Sipas Sulevit, turizmi gjatë muajve të fundit ka pësuar dëme serioze, veçanërisht në segmentin e udhëtimeve të mysafirëve nga Azia. Kjo për shkak se një pjesë e madhe e tyre udhëtonin përmes kompanive ajrore të Lindjes së Mesme. Megjithatë, ai thotë se është ende herët të vlerësohet se sa të mëdha do të jenë humbjet nga situata aktuale./Alsat.mk.
The post Lufta në Lindjen e Mesme po godet edhe turizmin në Maqedoni appeared first on Alsat.



