Gazetar: Angell Dimovski
Nga vjeshta do të fillojë ndërtimi i hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10, e financuar përmes kredisë britanike për projekte kapitale. Kryeministri Mickoski tha se tashmë kanë zhvilluar takim me përfaqësues të Britanisë së Madhe dhe me përfaqësues të UK Export Finance, ku kanë biseduar për realizimin e projektit. Sipas Mickoskit, procedurat për ndërtimin e hekurudhës tashmë kanë filluar.
“Studimi i fizibilitetit që po përgatitet nga Ministria e Transportit dhe studimi për vlerësimin e ndikimit në mjedis pritet të përfundojnë gjatë këtij muaji, ose më së voni deri në korrik. Nëse gjithçka shkon sipas planit, më pas do të procedojmë me ligjet në Parlament dhe me Zotin para nga vjeshta mund të fillojmë punimet në terren sipas parimit të FIDIC-ut të verdhë”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se kredia do të sjellë migrantë në vend, Mickoski porositi se migrantë nuk ka dhe nuk do të ketë.
“Nuk ka migrantë dhe nuk ka azilkërkues të pasuksesshëm. Siç po e shihni, edhe një herë u vërtetua se pretendimet që vijnë nga LSDM-ja janë të pavërteta dhe të tilla do të mbeten. Dua që kjo të thuhet dhe të qartësohet saktësisht, sepse sipas tyre duhej të kishim një valë të tillë personash që në prill. Ja ku jemi në mes të qershorit dhe jo vetëm që nuk ka, por as nuk do të ketë. Ndërkohë, do të kemi hekurudhën e shpejtë që do të jetë pjesë e Korridorit 10”, theksoi Hristijan Mickoski.
Hekurudha e shpejtë në Korridorin 10 duhet të lidhë kufirin verior dhe atë jugor të vendit. Ideja për ndërtimin e një linje të shpejtë hekurudhore në këtë trase nuk është e re dhe prej vitesh është pjesë e planeve qeveritare për modernizimin e infrastrukturës së transportit.
Projekti është paraqitur në disa programe qeveritare gjatë dekadës së fundit, më së shpeshti si pjesë e strategjisë më të gjerë për përmirësimin e lidhshmërisë rajonale dhe integrimin me rrjetet evropiane të transportit. Korridori 10, i cili lidh Evropën Qendrore me Greqinë, ka rëndësi kyçe për transportin e mallrave dhe të udhëtarëve. Megjithatë, realizimi i një infrastrukture moderne hekurudhore në këtë segment deri më tani ka qenë i kufizuar për shkak të sfidave financiare dhe administrative./Alsat.mk.
The post Mickoski: Në vjeshtë nis ndërtimi i hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10 me kredi britanike appeared first on Alsat.



