“Luftojeni korrupsionin” – kërkesa e Haradinajt për kryetarët e komunave

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, mblodhi kryetarët e komunave për të diskutuar rreth problemeve që ka niveli lokal, i cili ballafaqohet drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.

Ai gjatë “Forumit Konsultativ Qeveri – Komuna” përmendi tri prioritete që ishin obligimet financiare në të cilat futen komunat, shfrytëzimi i tokave publike dhe agjendën evropiane, konkretisht lufta ndaj korrupsionit, si obligim për liberalizim të vizave.

Por, kreu i Qeverisë mori edhe ankesa nga kryetarët e komunave për problemet me të cilat ballafaqohen.

Mirëpo, kryeministri Haradinaj u premtoi përkrahje të fuqishme në punët dhe projektet që kanë. Derisa, për këtë u tha të orientohen te ministri i Financave Bedri Hamza, ministri i Pushtetit Lokal, dhe koordinatori nacional, Besnik Tahiri.

Haradinaj: Tri prioritetet për komunat

“Pra dy i ceka, buxhetin, operimin me pronë sidomos me ato që ju keni interes që t’ua alokojmë ne komunës, prona patundshmëri, pra mund të jetë tokë, hapësira tjera infrastrukturore që e ndihmojnë zhvillimin e juaj në komunë. E treta është, ju e dini që ne jemi në agjendën evropiane, e treta jo për nga rëndësia, çdo veprim i yni qeverisës po vlerësohet nga niveli i prezencës së BE-së dhe instancave tjera, njëkohësisht edhe lufta e korrupsionit është interesim edhe i yni por edhe i bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, ndërlidhet me aspektet e ndjeshme të qytetarëve tonë, liberalizimi i vizave. Jemi të vetmit që jemi të izoluar”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, duke folur për çështjen e financave për komunat, tha se këtë vit niveli lokal ka grante me shumë se sa është dashur ta ketë.

Hamza: Këtë vit komunat kanë me shumë grante se sa është dashur

“Sa i përket mjeteve financiare për vitin aktual niveli i granteve ka qenë bukur shumë më i lartë së viti paraprak, madje më i larë se është dashur të jetë. Për shkak se grantet janë ndarë me kornizë të vitit të kaluar që realisht planifikimi i të hyrave ka qenë shumë ambicioz, shumë i fryrë. Mirëpo duke e ditur nevojën që komunat kanë nevojë për më shumë para ne nuk kemi intervenuar në atë pjesë dhe për komuna të shkojnë me shumë grante, me shumë mjete se sa realisht ligji e përcakton”, theksoi Hamza.

Hamza përmendi edhe zvogëlimin e numrit të nxënësve, meqë sipas tij, këtë vit diku për 10 mijë nxënës kanë më pak në total dhe do të reflektonte edhe me uljen e buxhetit, mirëpo ata si nivel qendror nuk janë të interesuar të ulin buxhetin, por të ndajnë grante, meqë disa shkolla nëpër disa fshatra, nuk mund t’i mbyllësh nëse s’e ka bash numrin e saktë të nxënësve.

Problemet me të cilat ballafaqohen, para kryeministrit i paraqite disa prej kryetarëve të komunave.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherësh kryetar i Podujevës, Agim Veliu, u ndal tek aspekti i problemeve financiare, meqë sipas tij, ato reflektojnë në shumë fusha, sikurse janë arsimi, shëndetësia, shërbimet publike e shumë fusha tjera.

Veliu: Problemet financiare po reflektojnë në arsim, shëndetësi…

“Kur them në arsim mendoj edhe në paga, edhe në rritjen e të punësuarve në sektorin e arsimit, sepse ne nganjëherë mendojmë të rrisim edhe numra edhe pse kërkesat tona për rritje të numrave nuk duken me sy të mirë, por ato janë nevojë sepse nëse komunat dhe investimet e qeverisë rrisin hapësirat shkollore atëherë lindë nevoja të rrisim edhe numra, nëse asgjë nuk duhet për një shkollë të re, duhet një drejtor, zëvendësdrejtor, nevojiten edhe njerëz që merren me mirëmbajtjen e hapësirave dhe ne jemi të pamundshëm nganjëherë t’i realizojmë. Kemi probleme edhe të numri i të punësuarve dhe dallimet që janë në sektorë të ndryshëm, në shëndetësi, ta zëmë komunat dallojnë varësisht nga numri i popullsisë, por ka komuna që kanë një numër të vogël të banorëve por kanë të punësuar ndoshta sa një komunë që ka numër me të madh të punësuarve. Kemi problematika edhe tek pronat, sepse komunat janë të zhvesh ura nga pronat, e gjithë prona, shumica është në menaxhim të Agjencionit të Pyjeve dhe ne jemi në vështirësi”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paraqitur disa probleme me të cilat po ballafaqohet. Por, kreu i kryeqytetit tha se problemi më i madh është ndarja e kategorisë së shpenzimeve, meqë Prishtina po e bartë barrën edhe të komunave tjera.

Ahmeti: Prishtina po e bart barrën e komunave tjera

“E treta që dua të potencoj është ndarja mes kategorive të shpenzimeve zotëri ministër, unë kisha dashur ta ngris këtë çështje, sepse komunat po dallojnë në kategoritë e ndryshme të shpenzimeve dhe gati se disa komuna të mëdha po e bartin barrën e komunave tjera. Shembull ka komunë në Kosovë, e cila mbi 80 për qind të buxhetit e ka në shpenzime rrjedhëse paga, mëditje, mallra dhe shërbime. Meqë ne kemi obligime ndaj FMN-së për mbajtjen e një përqindje të buxhetit në investime kapitale mandej i bie komunës së Prishtinës barra më e madhe që ta bartë këtë ndarje ku ne 50 për qind i kemi shpenzime rrjedhëse ndërsa përqindjen tjetër shpenzime kapitale dhe kjo neve na shkakton probleme posaçërisht në mallra dhe shërbime ku jemi në minus gati për çdo vjet”, theksoi Ahmeti.

Ahmeti kërkoi nga Qeveria kryerjen e obligimeve financiare prej rreth 7 milionë eurosh që i kanë mbetur borxh komunës së Prishtinës për shpronësimet që i kanë bërë për autostradat, e që ende nuk janë kryer nga viti 2010.

Takimi mes kryeministrit dhe kryetarëve të komunave ka vazhduar më pas pa praninë e mediave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme