Sakte.net / 09 Shtator 2016 /- 09:09
Kosova shpejt mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Të paktën këtë ide e ka dhënë nëpërmjet deklaratave publike shefi i ri i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, duke theksuar se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, shkruan Gazeta Zëri.
Në anën tjetër partneri i koalicionit të PDK-së në Qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, insiston se ky është momenti më i keq për zgjedhje në Kosovë, me arsyetimin se për shkak të Speciales dhe arrestimeve që do të bëhen nga kjo e fundit mund të ketë krizë në vend.
Sipas deputetit të LDK-së Adem Salihajt, nëse PDK-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje, atëherë, siç thotë ai, këtë do ta bënte vetëm për “interesat e krimit”, por jo edhe për interesa të qytetarëve.
I shpejtë ka qenë reagimi i opozitës kosovare, e cila thënë se ajo deklaratë është vetëm sinjali i parë për zgjedhje të parakohshme.
Në anën tjetër edhe analistët kosovarë kanë thënë se zgjedhjet e parakohshme në këtë situatë do t’i konvenonin më së shumti partisë më të madhe në vend. Sipas tyre, aktualisht vetëm LDK-ja nuk është e interesuar për zgjedhje.
E PDK-së në zgjedhjet e parakohshme flitet se mund t’i ndihmojë edhe Behgjet Pacolli me partinë e tij – Aleancën Kosova e Re.
Megjithëse nga kjo parti nuk kanë preferuar të flasin për ndonjë koalicion parazgjedhor me PDK-në, ata kanë konfirmuar se përgatitjet për zgjedhje kanë filluar.Zëri.